Debati i parë Trump-Biden: Retorikë e zjarrtë dhe sulme personale

Presidenti Donald Trump dhe rivali i tij demokrat, ish-nënpresidenti Joe Biden u përballën në një debat të ndezur të martën, që u karakterizua nga sulme të ndërsjella.

Dy pretendentët në zgjedhjet presidenciale amerikane u angazhuan në shkëmbime me tone luftarake në debatin e tyre të parë presidencial.

Debati u zhvillua në sallën “Sheila and Eric Samson” në mjediset e universitetit “Case Western” në qytetin Klivland të Ohajos, ndërkohë që mbeten pesë javë deri në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Debati u drejtua nga gazetari i kanalit Fox News, Chris Wallace. Këtë radhë, siç ka ndodhur që nga viti 1988, debati po sponsorizohet nga Komisionki i Debateve Presidenciale.

Pak sekonda pas fillimit të debatit, Presidenti Trump ndërpreu rivalin Joe Biden, gjë që u përsërit shpesh gjatë natës, ndërsa nënpresidenti Biden reagonte shpesh me irritim nga ndërprerjet.

COVID-19

“Presidenti nuk ka plan,” tha Biden, duke folur për reagimin e administratës ndaj pandemisë. “Ai e dinte se ishte sëmundje vdekjeprurëse dhe nuk ju informoi ju (popullin amerikan)”.

Presidenti Donald Trump tha se tubimet e tij për fushatë nuk kanë pasur ndikim negativ tek pjesëmarrësit që nuk ndjekin rekomandimet për distancim fizik.

Ai u shpreh se nuk është kundër maskës, duke nxjerrë një maskë nga xhepi dhe duke thënë “Unë vë maskë kur është e nevojshme”.

Por ai shtoi se në aktivitetet e tij vijnë “35 mijë deri në 40 mijë pjesëmarrës,” duke shtuar se rivali i tij Joe Biden zhvillon aktivitete të papërfillshme “ku i vijnë vetëm tre vetë”.

Biden ka zhvilluar aktivitete më të vogla fushate, ku njerëzit qëndrojnë në distancë fizike nga njeri-tjetri. Duke e cilësuar presidentin “plotësisht të papërgjegjshëm” në ragimin ndaj COVID-19,  Biden tha se presidenti “është budalla në këtë temë” dhe shtoi se Trump mendonte për maskë vetëm kur ishte për interes të tij dhe jo të tjerëve.

Gjatë diskutimit lidhur me temën e vendit bosh në Gjykatën e Lartë, debati devijoi tek COVID-19 dhe presidenti tha, pa ofruar prova, se 2 milionë njerëz do të kishin vdekur nëse Joe Biden do të kishte qenë president gjatë pandemisë.

Drejtuesi i debatit, gazetari Chris Wallace iu lut disa herë Presidentit Trump të ndalte komentet për COVID, meqë ajo temë do të diskutohej më pas. Ai e pyeti presidentin nëse do të zëvendësonte planin për kujdes shëndetësor të miratuar gjatë administratës Obama.

Presidenti tha “Së pari, më duket se debatin po e zhvillojmë ne të dy, dhe jo unë e Joe Biden. S’ka problem. Nuk më vjen çudi”.

Biden shpesh qeshte nën buzë gjatë komenteve të presidentit, por në disa raste dukej qartë i irrituar.

“Fakti është se çdo gjë që thotë ai (presidenti) është thjeshtë gënjeshtër. Nuk kam ardhur këtu për t’u marrë me gënjeshtrat e tij. Të gjithë e dinë se është gënjeshtar”.

Gjatë një tjetër momenti kur presidenti po ndërhynte, Biden pyeti “Ia ka njeri idenë se çfarë po bën ky palaço?”

Trazirat Sociale/ Grupet Ekstremiste

Gjatë diskutimit të trazirave të fundit sociale, i pyetur nga drejtuesi i debatit, Chris Wallace nëse do të dënonte supremacistët e bardhë dhe grupet e tjera ekstremiste, presidenti nuk dha një përgjigje të qartë:

“Do të thoja se thuajse të gjitha problemet që shoh janë shkaktuar nga e majta, jo nga e djathta”, u përgjigj presidenti. “Jam gati të bëj çdo gjë. Dua të shoh paqe”.

Pas ngulmimit të gazetarit Wallace, Trump tha “Si doni ju që t’i quaj. Ma thuaj, më jep një term”.

Më në fund, presidenti tha “Përmbahuni, qëndroni gati “Proud Boys”. Në fakt, duhet të bëjmë diçka në përgjigje të Antifa-s sepse ky nuk është problem i së djathtës, por i së majtës”.

“Proud Boys” është një organizatë e ekstremit të djathtë, ndërsa Antifa është grupim që përfaqëson grupe e individë të kahut të majtë.

Pasuesit e Antifa-s kanë marrë pjesë në protesta me thirrjet kundër racizmit, por nuk ka prova të konsiderueshme që mbështesin pretendimet e republikanëve se anëtarët e Antifa-s kanë qenë pas akteve të dhunshme në protesta.