Trajneri italian Gianni De Biasi thotë se është “përvojë e vështirë” të jesh seleksionues i Shqipërisë dhe ka zbuluar se “kishte mungesë motivi” pas pesë vjet e gjysmë.
De Biasi dërgoi Shqipërinë në Evropianin 2016, turneu i parë i madh në të cilin garoi Shqipëria dhe po luftonte me Spanjën dhe Italinë për një vend në Botërorin 2018 në Rusi.
Por, ai u largua katër ndeshje pa mbaruar cikli eliminator dhe donte t’i jepte një trajneri të ri mundësinë që të jetë nga fillimi në Ligën e Kombeve të UEFA-s.
“Si seleksionues, unë po shihja lojtarët vetëm një herë për një kohë. Është përvojë e vështirë, duhet të punosh shumë me kokat e lojtarëve. Nuk është e lehtë të përgatitesh për dy ndeshje me disa muaj dallim mes tyre. Në ndërkohë, vazhdon të vëzhgosh gjithë lojtarët. Unë kam bërë më të mirën me Shqipërinë, kam marrë shumë çmime nga qeveria, është ndjenjë e shkëlqyer. Jam larguar nga Shqipëria pasi isha atje për pesë vjet e gjysmë. Ishim në vend të tretë në renditje në grup në eliminatore për Botërorin 2018 dhe katër ndeshje para përfundimit. Por, kishim Spanjën e Italinë para nesh. I thash presidentit se do të ndalojë për t’i dhënë pasardhësit tim mundësinë që të punojë në ndeshjet tjera para se të niste Liga e Kombeve. Më mungonte motivi”, ka thënë De Biasi për Gianluca Di Marzion.
De Biasi ka qenë pa punë që kur u largua nga Alavesi në nëntor të vitit 2017, ku qëndroi në krye nëntë ndeshje përgjatë dy muajve dhe së fundi është përmendur si kandidat për të vazhduar karrierën në Azi.
“Duhet së pari të shohim se si do të zhvillohet situata shëndetësore. Unë po shikoj për një projekt që më intrigon. Çdo gjë ndryshoi në momentin e fundit dhe koronavirusi definitivisht mbylli gjërat”, ka thënë De Biasi.