Anëtari i kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj e ka quajtur të çuditshëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pavlefshmërinë e Qeverisë Hoti, por ka thënë se do ta respektojnë.
“Ne e kemi pritur një vendim ndryshe, por gjithsesi do të respektojmë, do t’i marrin masat dhe të punojmë që të dalim sa më mirë në zgjedhje. Është një vendim paksa i çuditshëm, do të jetë për studim të ardhmen, kemi raste të panumërta që kanë votuar në parlament e kanë qenë në të njëjtën masë”, tha ai.
Ai tha se AAK-ja do të punojë shumë që të ketë një rezultat të mirë zgjedhor.
“E kemi sot një takim, do të shohim çka do të dalë, por natyrisht do t’i respektojmë të gjitha procedurat që kërkohen. Ne jemi këtu dhe do të shihni në zgjedhje si do të dalë Aleanca në zgjedhje”, tha ai.
Megjithatë, Haradinaj nuk dha detaje për kandidatin për kryeministër dhe listën për deputetë.
“Duhet me na prit sepse këto janë procese të cilat ne do t’i diskutojmë brenda strukturave një herë”, tha ai.