Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka kërkuar nga bashkëpartiakja e tij, ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, që t’i publikojë emrat e të gjithë personelit diplomatik të Kosovës, pas bërjes publike se djali i deputetit të AAK-së, Haxhi Shala, e emëruar konsull në Pragë të Çekisë.
“I bëj thirrje Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që t’i bëjë publik emrat e të gjithë pjesëtarëve të Shërbimit Diplomatik të Kosovës dhe lidhjet e tyre familjare dhe partiake”, kërkoi Haradinaj, njofton Klan Kosova.
Megjithatë, emërimi i Flakron Shalës në pozitën e konsullit ngjalli shumë debat dhe kritika në publik se vota e Haxhi Shalës, që u dha për Qeverinë Hoti dhe që ishte vendimtare, ishte pikërisht në këmbim të këtij emërimi.
Por, konsulli i ri hodhi poshtë këto duke thënë se emërimi i tij u bë sipas procedurave ligjore dhe se fakti që është i biri i një deputeti s’ka ndikuar në të.
“Prindi im Haxhi Shala, si një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk ka as më shumë e as më pak autoritet ligjor e politik se deputetët tjerë- pra deputeti nuk ka kompetencë të emëroj apo shkarkoj zyrtarët e MPJ-së dhe as Konsujt e Përgjitḧshëm. Jam i nderuar dhe i motivuar që si kuadër i përgatitur dhe edukuar në Republikën Çeke bashkë me përvojën time perëndimore, të përfaqësoj me dinjitet, profesionalizëm dhe kujdes Republikën e Kosovës kudo, në çdo takim, aktivitet apo detyra të Konsullit të Përgjithshëm”, ka thënë Shala.
Nga Ministria e Meliza Haradinaj-Stublla nuk është dhënë ende ndonjë sqarim nëse Shala u emërua në bazë të ligjit derisa Hashim Thaçi ishte në krye të Presidencës.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka thënë se do të shfuqizojë këtë dekret.
“Konsullata e Përgjithshme në Pragë dhe emërimi i Konsullit të Përgjithshëm aty, janë në kundërshtim me çdo praktikë diplomatike dhe konsullore të vendeve demokratike. Nuk mund të hapen Konsullata të Përgjithshme në të njëjtin qytet ku kemi edhe Ambasadë. Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i vetëm. Është praktikë e mbrapshtë, të cilën duhet ta kthejmë mbarë. Prandaj ato dekrete do të shfuqizohen”, shkroi Osmani.o