Seanca për të votuar mocionin e mosbesimit, të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e Qeverisë nuk është caktuar ende, ndërsa po kalon edhe dita e tretë prej kur LDK dorëzoi mocionin në Kuvend.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj tha për Telegrafin se ende nuk kanë marrë ftesë për ndonjë seancë, ndërsa shtoi se në situatën e krijuar për shkak të paraqitjes së koronavirusit, Qeveria është dashur ta marrë në konsideratë dhe të mos e shkarkoj ministrin e LDK-së.
“Jo nuk kemi marr ftesa akoma nga Kryetarja, por çdo herë Kosova do mbetet me institucione pasi deri në një qeveri të re kjo do e vazhdon punën. Ndërsa, rreth situatës me COVID-19 mendoj se vet koalicioni ka qenë dashtë ta ketë në konsideratë e jo ta shkarkoj ministrin dhe akterin kryesor të LDK-së”, tha Haradinaj.
Ai shtoi se në këtë periudhë, qytetarët duhet të kenë sa më shumë kujdes, sepse gjithçka është në dorën e tyre, duke iu bërë thirrje që të respektohen rregullat të cilat janë vendosur nga Qeveria.
“Kjo periudhë kërkon kujdes nga qytetarët, pasi është krejtësisht në dorën e tyre që të kenë kujdes dhe t’i respektojnë rregullat e përcaktuara. Ne i përgëzojmë për sjelljen e shkëlqyeshme që po tregojnë këtyre ditëve dhe apelojmë t’i respektojnë këto rregulla sepse janë për të mirën e tyre”, tha Haradinaj.
Lidhja Demokratik e Kosovës, të shtunën ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, ndërkaq Kryesia e Kuvendit ende nuk ka marrë vendim për thirrjen e seancës.