Në ditën kur Kosova kurorëzoi lirinë, Burim Gashi e Albulena Blakaj kurorëzuan dashurinë. 12 qershor 1999. Kerri i nuses me fustan të bardhë po përshkonte rrugët nëpër të cilat po marshonin tanket e NATO-s. Ushtima e makinerisë së rëndë po përzihej me sirenat e çiftit të ri nga Prishtina. Burimi, edhe krushk në dasmën e tij, po e çonte nusen në shtëpinë e familjes tetovare, e cila e kishte strehuar artistin refugjat. Ushtarët, bashkë me armatimin e tyre të rëndë në rast të rezistencës së forcave serbe, po marshonin triumfueshëm drejt kufirit me Kosovën. Dy familje prishtinase në Tetovë kishin festë të dyfishtë atë ditë.
Fiks pesë ditë më parë, në ditën e fejesës, miqtë e rinj caktuan datën e dasmës. E ajo kurrë nuk shtyhet. Forca e zakonit po e bënte të veten. Do të rastiste me ditën e çlirimit, raporton KOHA.
“Gëzim pafund!”
“Kujt ia merrte mendja se 12 qershori do të bëhej një ditë feste për të gjithë ne! Unë shkoja nuse, me ndjenja të përziera, sytë plot lot se nuk kisha dalë nga shtëpia ime (të cilën do ta gjenim të djegur) e pa familjen e gjerë afër, siç ishte zakon kur përcillej bija”, kujton fiks 21 vjet më vonë Blakaj, profesoreshë në Degën e Gjermanishtes në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”. “Në rrugë, shpindrroheshim me forcat e NATO-s që shkonin drejt Kosovës. Gëzim pafund!”
Pas shumë vuajtjeve e tmerreve që i kishte kaluar me familjen për muaj me radhë në Kosovë, Albulena Blakajt ia ngriti vellon Burim Gashi. Gjatë bombardimeve të Aleancës Veriatlantike, asaj i kishin thënë se serbët ia vranë të dashurin. Krejt ndryshe e kishin ëndërruar ditën e dasmën. Në lidhje ishin prej shkollës së mesme, kur mësonin në shtëpi-shkolla.
“Edhe të gjitha vitet e studimeve i kemi kryer nëpër shtëpi private. Së pari kemi ëndërruar lirinë, e cila dukej aq e largët”, kujton Blakaj, duke shtuar se në Kosovën nën pushtim, Blakaj e Gashi ëndërronin lirinë, sepse me të lidheshin edhe ëndrrat e tyre.
“Kemi dashur të bëjmë dasmë atë verë, pra verën e vitit 1999, të cilën e kemi ëndërruar e besa edhe planifikuar me vjet. Tashmë kisha përfunduar studimet dhe isha asistente në fakultet, prandaj edhe patëm bërë të gjitha përgatitjet për t’u fejuar”.
Takimi i fundit
Por, vendimet e tyre vareshin prej zhvillimeve në Kosovë. “Lufta na i la në gjysmë”, thotë ajo. Shpresat iu ngjallën në natën e 24 marsit 1999 kur qielli po përflakej prej bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe. Serbët në tokë nisën të bënin kërdi mbi shqiptarët e pafajshëm. Disa ditë më parë, Gashi e Blakaj do të takoheshin për herë të fundit në vendlindjen nën pushtim.