Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar sot (e martë) seancën e dytë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
Dardanët po behën gati për edicionin e ri të Ligës së Kombeve, ku më 6 shtator në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ do të përballet me Rumaninë, e tri ditë më vonë me Qipron në Larnaca.
Këto dy ndeshje zhvillohen në kuadër të Grupin 2 të Ligës C, e ku Kosova synon të tregojë vlerat e saj dhe të fitojë grupin për t’u promovuar në Ligën B.


Në seancën e sotme stërvitore, mbrojtësi Lumbardh Dellova u stërvit veçmas nga grupi, ndërsa pjesë e ekipit të parë ishte edhe futbollisti i Kombëtares U21, Andi Hoti.
Seanca u karakterizua nga një intensitet i lartë, me përzgjedhësin Franco Foda që u fokusua në aspektin taktik dhe tranzicionin e ekipit, për ta përgatitur strategjinë e lojës që ka planifikuar për sfidën e madhe ndaj rumunëve.