Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj pritet të dalë sot para Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Seanca për Molliqajn do të mbahet në ora 14:00.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Po mund të ju konfirmoj se seanca do të mbahet sot në ora 14:00″, tha ajo.
Seanca ndaj Molliqajt mbahet pas kërkesës së Prokurorisë Themelore, që ndaj tij të caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh, për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”.
Ndryshe, kreu i PSD-së Dardan Molliqaj është arrestuar të martën në mbrëmje, për sulm fizik ndaj personit zyrtar në protestën e së shtunës, kundër shtrentimit të energjisë elektrike.
Kreu i PSD-së kishte goditur shuplakë një pjesëtar të Policisë së Kosovës në protestën kundër shtrenjtimit të rrymës.
Molliqaj kishte thënë se në lidhje me incidentin se përgjegjësia i bie atij, porse ai ishte ofenduar me fjalë nga zyrtarët policorë.
Përveç Molliqajt, edhe aktivisti tjetër i PSD-së, Adem Megjuani, është arrestuar për sulm ndaj zyrtarit policor gjatë protestës.
Megjuanit iu kumtua ndalimi prej 48-orësh, ndërsa PSD-ja përmes një reagimi të martën kërkoi lirimin e menjëhershëm të tij.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar sot t’u caktohet masa e paraburgimit Dardan Molliqajt dhe Adem Megjuanit të dyshuar për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”.