Dallku pret t’i shlyhet borxhi nga Prishtina

Armend Dallku ka thënë se klubi i Prishtinës i ka mbetur borxh gjatë periudhës sa ka qenë trajner. Por, Dallku nuk ka treguar se për çfarë shume bëhet fjalë.

“Kam biseduar me presidentin e Prishtinës, Remzi Ejupi, me të cilin kam folur për shumë çështje duke nisur edhe nga borxhi. Prishtina nuk më ka vetëm mua borxh, por edhe shumë personave tjerë”, ka thënë Dallku për Sporti Total. 

Trajneri, Armend Dallku ka thënë se e ka gjetur të shkatërruar në shumë aspekte skuadrën e Prishtinës.

Ai ka thënë se ka pasur probleme bazike te Prishtina. Madje, thotë se është detyruar të luaj edhe rolin e ekonomit.

“Kur e kam marrë ka qenë në gjendje të keqe, pavarësisht se ka qenë në fillimet e mia si trajner. I kam njohur futbollistët dhe kam besuar se do të këndellemi. Ka qenë i shkatërruar në shumë mënyra edh financiarisht. Deri në xhirot e fundit kam qenë në garë për titull. Triumfi në Kupë ka qenë e arritur e madhe për mua. E kam ruajtur rolin edhe të drejtorit sportiv, ekonomit, kryetarit dhe të tjerave. Unë nuk kam nevojë për financat e Prishtinës dhe të tjerave. Ka qenë një armë e fortë e imja. Është tentuar të angazhoj unë në fushë dikë. Por, te unë nuk ka mundur të luaj asnjë sekondë për shkak se ka thënë dikush tjetër. Të gjitha vendimet i kam marrë vet. E kam bërë punën time me profesionalizëm”, ka thënë Dallku në emisionin sportiv të KTV-së, Sporti Total.

Dallku u shkarkua dhe në vend të tij u emërua në postin e trajnerit, Zekirija Ramadani. Me Prishtinën, Dallku e ka fituar Kupën e Kosovës për edicionin e kaluar.