Dalipi dhe Paviqeviq biseduan për ndihmat e Serbisë dhe lejimin e kompanisë së Millan Saviqit dhe Moimir Nikoliqit që të tregtonte me barna

Ish-shefi i kabinetit të ish-kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi, sot e konfirmoi edhe vetë që është takuar me Dejan Paviqeviqin e Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

Dalipi konfirmoi që me iniciativë të Këshillit Rajonal për Bashkëpunim janë pajtuar që nevojitej një “Korridor i Gjelbër”, për të lejuar kalimin e barnave, pajisjeve mjekësore dhe ushqimit nëpër rajonin e Ballkanit Perëndimor gjatë kohës së pandemisë COVID-19.

Ballkani.info nga burime të mirëinformuara për këtë takim ka mësuar se aty ishte biseduar edhe për ofrimin e ndihmës që Qeveria e Serbisë mund ta bënte për Kosovën me mjekë dhe pajisje farmaceutike, fillimisht për komunat me shumicë serbe, por pa përjashtuar edhe komunat shqiptare nëse Qeveria e Kurtit do e pranonte mbështetjen e Serbisë, gjë që pak ditë më pas edhe e kishte bërë me pranimin e donacionit të 1000 testeve për përdorim sipas nevojave shëndetësore.

Paviqeviq në emër të Qeverisë së Serbisë në këtë takim kishte shprehur gatishmëri që edhe një pjesë të pajisjeve farmaceutike që kishin pranuar nga Rusia dhe Kina t’i ofronin për Kosovën.

Por, siç mësohet nga burime që kanë qenë të informuar për këtë takim, Paviqeviq kishte edhe një kërkesë specifike për Qeverinë e Kosovës.

Kërkesa e Paviqeviqit e parashtruar në këtë takim ishte që kompanisë serbe Farmalogist Connect D.O.O. t’i përshpejtoheshin procedurat për dhënien e lejes për tregti të barnave në Kosovë gjatë pandemisë.

Kompania Farmalogist Connect D.O.O. ka drejtor ekzekutiv Millan Saviqin dhe aksionar Moimir Nikoliqin, kurse adresa zyrtare e saj është Dolan, INDUSTRIJSKI KAMP B.B. në Zveçan. Kjo kompani është regjistruar zyrtarisht në Kosovë më 11.12.2014, ndërsa sipas informacioneve që posedon Ballkani.info, në Serbi është regjistruar më 08.05.2015.

https://arbk.rks-gov.net/page.aspx?id=1,38,168248

Po ashtu, sipas informacioneve që posedon Ballkani.info brenda ATK-së, qarkullimi i kësaj kompanie brenda 5 vjetëve në Kosovë është 5,230,381.95 euro. /Ballkani.info/