Në kohën kur të gjithë qytetarët e Kosovës janë izoluar, janë mjekët e infermierët tanë ata të cilët po qëndrojnë në krye të detyrës. Me kujdestari aktive e orare të gjata, mjekët kosovarë tash e disa ditë po qëndrojnë në krye të detyrës duke u marrë me pacientët kosovarë të cilët janë infektuar me virusin kinez covid-19, apo siç njihet ndryshe koronavirusin.
Por nga kontakti i afërt me pacientët, infektologët e QKUK’së kanë bërë analiza me dyshimet se janë prekur nga virusi korona. Këtë detaj e ka bërë të ditur gjatë ditës së martë, infektologu, Salih Ahmeti.
Ai ka thënë se kanë propozuar që dy mjekëve-infektologë, të QKUK’së t’iu bëhen analizat e nevojshme për të kuptuar nëse kanë koronavirus. Por, fatmirësisht, sipas Ahmeti këto raste kanë rezultuar negative.
“Nga kontakti i afërt që këta dy infektologë kanë pasur me pacientët, ne ua kemi bërë analizat, dhe për fat të mirë kanë rezultua negative”, ka thënë Ahmeti për T7.
Deri tani në Kosovë ka shkuar në 16 numri i të infektuarve me koronavirus, ndërsa qytetarëve u bëhet thirrje që t’i respektojnë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik.