Daja tregon fjalët nipit që i shpëtoi tragjedisë në Lepenc: Tha më falni që i mbyta prindërit, s’kam dashtë me dalë nga vetura


Xhavit Visoka, vëllai i Merita Pacollit e cila së bashku me burrin e saj Naim Pacollin dhe djalin e tyre 16 vjeç vdiqën tragjikisht pasi ranë me veturë në lumin Lepenc në rrugën Shkup-Bllacë, ka treguar fjalët e nipit të tij, Shkëlqimit 21-vjeçar, i cili është i vetmi që shpëtoi.

Ai tha se nipi i tij “s’po mund ta përballojë” këtë që ka ndodhur.

“Më falni tha që i mbyta prindt. Më fal tha dajë që ta mbyta motrën”, tregoi Xhavit Visoka në Frontal në T7, të cilit lotët ia ndërprenë fjalët herë pas here.

Ai tha se nipi i tij “nuk dinte me më tregu çka ka nodhd”.

“S’kam dashtë me dalë jashtë, tha, po qysh kam dalë s’e di”, tregoi daja i 21-vjeçarit dhe tregoi se ka qëndruar i kapur për një pemë.

“Mirë është fizikisht. Por mentalisht është keq. I duhet kohë që ta kalojë këtë”, tha ai, duke folur për gjendjen shëndetësore të nipit.

Xhavit Visoka tha se rrugës për në Maqedoni ka biseduar me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Gjatë rrugës e kam kontaktuar ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Veç i thashë po du me ditë a janë gjallë”.

Për vdekjen e prindërve dhe vëllait, ai tha se i kanë treguar nipit sot në mëngjes.

“I kam thanë që në spital janë familjarët tjerë… Sot në mëngjes, dalë ngadalë duke ia shpjegu… Në momentin që i kam tregu që kanë ndërru jetë, ka qenë në shok”, tha ai.