Ballkani regjistroi fitore bindëse sonte ndaj Larnes në ndeshjen e parë, në kuadër të raundit të dytë kualifikues në Ligën e Konferencës.
Kampionët e Kosovës triumfuan në “Fadil Vokrri” me rezultatin 3:0, shkruan Gazeta Express.
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, pas ndeshjes tha se skuadra e tij bëri ndeshje të mirë, por që ende nuk ka përfunduar asgjë.
“Është një ekip që ka karakteristika të veçanta dhe ne nuk duhet t’i linim të luani lojën e tyre. Kemi poseduar shumë mirë topin dhe patën një ritëm shumë të mirë deri në minutat 70 dhe 80. Kishim vetëm 4 ditë kohë për t’u përgatitur. Kemi marrë lojtarë të rinj, por këto nuk janë ndeshje për të prezantuar lojtarë të rinj. Një ndeshje shumë të mirë pati Kryeziu. Patëm mungesa, pasi Kuçi doli në nxemje, por nuk ishte në gjendje të luante. Kemi bërë paraqitje të mirë, por futbolli në këto raste nuk është 90 minuta, por 180 minuta”, tha fillimisht ai për “Supersport”.
“Gjithmonë ka më mirë, por edhe 3:0 është një rezultat i mirë, pasi kundërshtarët janë një ekip që pësojnë pak, pasi janë të disiplinuar në mbrojtje. Që do të thotë se t’i shënosh një ekipi që vetëm mbrohet sigurisht që na kënaq fakti që bëmë tre gola, por normale nëse do shënonim më shumë do të ishim gëzuar më shumë. Po të ishim treguar më cinik do të kishim mundur të shënonim, pasi rastet i patëm”, shtoi 56-vjeçari.