Dafina flet për raportet me Tunën

Ato janë dy nga këngëtaret më të dëgjuara në diskografinë shqiptare dhe jo vetëm.

Fjala është për artistet e njohura Dafina Zeqiri dhe Tuna, të cilat kishin prishur raportet me njëra-tjetrën për një kohë të gjatë për shkak të disa incizimeve.

Megjithatë, ato u pajtuan në vitin 2017 dhe tani duket se ruajnë raporte mjaft të mira së bashku.

Të paktën, kështu ka deklaruar Dafina gjatë një intervistë të dhënë për emisionin “NIN”.

E pyetur se si është raporti i saj me Tunën tani, Zeqiri thotë se i kanë tejkaluar të gjitha mosmarrëveshjet dhe se tani janë sërish mike të mira.

“Edhe unë edhe Tuna jemi shumë moti në këtë industri. Ka kaluar një kohë, Tuna i ka pranuar gabimet e veta edhe unë të miat, kanë ndikuar shumë njerëz. Sot jemi shumë mirë”, ka treguar Dafina.

Dy femrat e famshme të estradës kanë vetëm një projekt bashkë të titulluar “Vibe”, i cili u lansua në vitin 2010 dhe ishte cilësuar si një nga hitet e asaj kohe.