11 shkolla të Prishtinës, të nivelit të ulët dhe të mesëm, kanë kaluar në skenarin C, pra mësimi në distancë për shkak të paraqitjes së rasteve me Covid-19.
Pas disa rasteve pozitive së fundi është rekomanduar nga autoritet shëndetësore që të vazhdohet mësimi me skenarin C, pra mësim në distancë.
Shkollat që janë mbyllur në Prishtinë dhe po vazhdojnë mësimin në distancë janë Gjimnazi “Ahmet Gashi”, Gjimnazi “Sami Frasheri”, Gjimnazi “Xhevdet Doda”, Shkolla e Mjeksise “Dr. Ali Sokoli”, SHFMU “Hasan Prishtina”, SHFMU “Dardania”, SHFMU “ Faik Konica”, SHFMU “Xhemail Mustafa”, SHFMU “Anton Zako Cajupi”, SHFMU “Azemi e Salihu”, SHFMU “Xhavit Ahmeti”.
Këto të dhëna i ka bërë të ditur për lajmi.net drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Shpresa Shala.
Shala ka thënë se mësimi në këto sholla po mbahet në distancë.
Ndërkohë, gjatë periudhës 19-23.10.2020, në të gjitha komunat e Kosovës janë raportuar gjithsej 130 nxënës dhe 148 mësimdhënës të infektuar me koronavirus.
Edhe pse numri i të infektuarve nëpër shkolla është mjaftë i lartë, ato vazhdojnë të jenë të hapura dhe nuk parashihet të mbyllen.
Ministria e Arsimit javë më parë ka thënë për lajmi.net se nuk e ka në plan mbylljen e shkollave në nivel vendi.
Ata thonë se niveli i rasteve me Covid-19 në shkolla është i ulët dhe rrjedhimisht procesi mësimor nuk ndërprehet.
“Momentalisht niveli i rasteve më Covid në mesin e mësimdhënësve dhe nxehëseve është i ulet dhe rrjedhimisht procesi mësimor nuk ndërpritet. Aty ku ka raste më COVID-19 kalohet nga skenari i mësimit në klasa në mësimin online (nga A në C)”, kishte thënë MSH-ja për lajmi.net.
Po ashtu MSH ka thënë se situata në shkolla përcillet në vazhdimësi dhe varësisht prej situatës epidemiologjike, merren edhe vendimet midis MSH dhe MASH e DKA.
Ndërkohë në vendin tonë në 24 orët e fundit janë shënuar 337 raste të reja me Covid-19, e që Prishtina prin me numrin më te madh të të infektuarve me gjithsej 185 raste.