BB: Goditja nga COVID-19 konfirmoi brishtësinë e modelit të rritjes ekonomike të Kosovës të bazuar në konsum

Pandemia COVID-19 e ka shtyrë rajonin e Ballkanit Perëndimor në recesion të thellë, me rënie si në kërkesën e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme, dhe bashkë me ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit ka shtyer të gjashtë vendet e rajonit në territorin e rritjes negative për vitin 2020. Sipas parashikimeve të edicionit më të fundit të Raportit të Rregullt Ekonomik (RRrE)  të Bankës Botërore, aktiviteti i përgjithshëm ekonomik për vitin 2020 në rajon pritet të tkurret me 4.8 për qind, dhe ky vlerësim është 1.7 pikë përqindje më i ulët se parashikimet e bëra në muajin prill. Një valë e dytë dhe më e fortë e pandemisë që ka nisur nga mesi i muajit qershor, e kombinuar me pasigurinë politike të lidhur me proceset zgjedhore në disa prej vendeve, është bërë pengesë ndaj rimëkëmbjes ekonomike në rajon. Edhe kufizimet ndaj udhëtimeve dhe masat e distancimit social kanë ushtruar trysni negative ndaj rritjes në vendet që janë më të varura nga turizmi.

Pandemia po i sfidon më tej tregjet e punës në rajon dhe kërcënon të minojë përparimin e bërë nga këto vende në agjendat e tyre të mirëqenies sociale, veçanërisht në lidhje me uljen e varfërisë. Deri në muajin qershor, papunësia u rrit me gjysëm pikë përqindje në rajon, duke bërë që të humben 139,000 vende pune. Vlerësohet se edhe 300,000 qytetarë kanë rënë në varfëri në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi – dhe ky është një numër domethënës – por, siç vëren raporti, kjo është më pak se gjysma e numrit total që do të kishte rezultuar nëse nuk do të ishin marrë masa reagimi.

“Ashtu si në pjesën tjetër të botës, pandemia COVID-19 po vazhdon t’i godasë rëndë qytetarët në Ballkanin Perëndimor, duke kërcënuar shëndetin dhe mirëqenien ekonomike të pothuajse çdo personi në të gjashtë vendet,” shprehet Linda Van Gelder, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Në Kosovë, pandemia COVID-19 po ushtron trysni të paprecedent mbi aktivitetin ekonomik dhe kushtet e jetesës së njerëzve. Përkundër lehtësimit në muajin qershor 2020 të masave frenuese, ekonomia vazhdon të jetë në rënie, meqë tronditja nga COVID-19 ështe duke ndikuar negativisht shërbimet e eksporteve të nxitura nga diaspora, investimet dhe konsumin privat. Ekonomia e Kosovës pritet të tkurret me 8.8 për qind në vitin 2020. Mirëpo, rritja e remitancave nga diaspora dhe e eksporteve të metaleve bazë, zbutja e kufizimeve ndërkombëtare ndaj udhëtimeve, si dhe reagimi i qeverisë përmes politikës fiskale kundërciklike, pritet të parandalojnë një tkurrje edhe më të thellë.

“Goditja nga COVID-19 konfirmoi brishtësinë e modelit të rritjes ekonomike të Kosovës të bazuar në konsum, por edhe vuri në pah rolin e rëndësishëm që luajnë remitancat në këtë periudhë sprove”, shprehet Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai shton se: “Kosova është i vetmi vend në rajon ku remitancat po rriten, një siguresë kjo që shumë vende të tjera nuk e kanë. Kjo mund të jetë një mundësi që të hidhen themelet për një rimëkëmbje të qëndrueshme që i trajton pengesat e kahershme strukturore, duke përmirësuar mjedisin rregullativ për zhvillimin e sektorit privat, duke bërë prioritet transferet sociale drejt qytetarëve më të cenuar, si dhe duke investuar në kapitalin njerëzor në mënyrë që modeli i rritjes të jetë më gjithëpërfshirës dhe më i qëndrueshëm”.

Sado e keqe të jetë kjo situatë, do të kishte qenë shumë më e keqe nëse qeveritë nuk do të kishin marrë masa të shpejta prej fillimit të krizës. Sipas raportit, të gjashtë vendet e rajonit vepruan me shpejtësi për vendosjen e politikave për mbrojtjen e jetëve dhe kushteve të jetesës. Për ta zbutur ndikimin e pandemisë Qeveria e Kosovës ka zgjeruar shpenzimet rrjedhëse në mënyrë kundërciklike duke mobilizuar financim domethënës koncesionar nga donatorët dhe institucionet financiare ndërkombëtare (IFN), duke rritur borxhin e brendshëm, dhe duke shfrytëzuar depozitat qeveritare të akumuluara para krizës.

“Përveç sistemeve të përmirësuara shëndetësore dhe mekanizmave solide të mbrojtjes sociale, politikëbërësit e rajonit do të duhet të marrin masa për rritjen e kapitalit njerëzor, për ndërtimin e institucioneve më të forta, dhe për forcimin e sundimit të ligjit. Kjo situatë e padëshirueshme ku duhet shpenzuar përkundër rënies së të ardhurave krijon trysni shtesë mbi qeveritë e rajonit ta kenë prioritet qëndrueshmërinë fiskale, përfshirë këtu përmes përmirësimit të shpenzimeve publike dhe forcimit të pajtueshmërisë tatimore,” shprehet Linda Van Gelder.

Raporti vlerëson se në planin afatshkurtër shpejtësia e rimëkëmbjes do të varet nga mënyra si evoluon pandemia, nga disponueshmëria e një vaksine që lejon normalizimin e aktivitetit ekonomik, dhe nga rimëkëmbja e qëndrueshme e partnerit kryesor tregtar të rajonit – Bashkimit Evropian (BE).