Pasojat ekonomike të shkaktuara nga pandemia COVID-19, kanë prekur pothuajse çdo sektor në Kosovë, e si rezultat i kësaj krize, Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka pasur më pak të hyra për dallim nga vitet e kaluara.
Buxheti i shtetit brenda 10 muajve ka më pak të hyra për 141.9 milionë euro krahasuar me vitin paraprak.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci në një përgjigje për Gazetën Sinjali ka treguar se në periudhën janar-tetor, Doganat e Kosovës kanë arritur t’i mbledhin 888 milionë euro.
Sipas tij, në krahasim me vitin 2019, në këtë vit ka pasur rënie të të hyrave për 100 milionë euro.
“Deri tani kemi mbledhur 888 milionë euro. Ngadalësimi i mbledhjes së të hyrave ka ndodhur si rezulltat i pandemisë dhe për momentin mbi 100 milionë apo rreth 11% kemi me pak se vitin e kaluar”, ka thënë Stavileci.
Tutje, Stavileci ka bërë të ditur se edhe vlera e importit ka shënuar rënie mbi 12 për qind.
“Vlera e importit ka shenuar rënie me mbi 12% si rezultat i uljese së konsumit të brendshëm”, ka thënë Stavileci.
Pasoja në mbledhjen e të hyrave, pandemia COVID-19 ka krijuar edhe në Administratën Tatimore të Kosovës.
Zyrtarja për komunikim me media, Valentina Bytyqi-Sefa i ka thënë Gazetës Sinjali se për periudhën janar-tetor, ATK-ja deri më tani ka arritur t’i grumbullojë 390.4 milionë euro tatime.
Ndërkohë, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, në këtë institucion ka pasur rënie 41.9 milionë euro.
“Të hyrat e Administratës Tatimore të Kosovës për periudhën janar-tetor 2020 janë në vlerë 390.4 milionë euro tatime, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi rënie për 9.7% apo 41.9 milionë euro më pak”, ka thënë Bytyqi-Sefa.
Bytyqi-Sefa ka thënë se për periudhën janar-tetor numri i kërkesave për rimbursim të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, Tatimin mbi të Ardhurat Personale dhe Tatimit mbi të Ardhurave të Korporatave është 1,787, ndërsa rimbursimet të aprovuar janë 1,163 prej tyre 1,098 lëndë.