Çmimet e naftës u rritën në nivelin më të lartë që nga viti 2008, pasi SHBA-ja tha se po diskuton me aleatët për embargo të mundshme mbi furnizimet ruse.
Nafta e papërpunuar Brent, e cila përdoret si standard ndërkombëtar, shkoi në mbi 139 dollarë për fuçi, përpara se të binte sërish nën 130 dollarë.
Tregjet e energjisë janë tronditur ditëve të fundit, për shkak të frikës për furnizime, të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të dielën se administrata amerikane po shqyrton embargon mbi furnizimet ruse me naftë.
Pas tij, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, tha se Dhoma po “eksploron” legjislacionin për ndalimin e importit të naftës ruse, që, sipas saj, do ta izolonte edhe më shumë Rusinë nga ekonomia globale.
Perëndimi ka ndërmarrë një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë, qëkur ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës, më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë urdhrin për pushtim pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet drejt lindjes.
Situata ka lëkundur menjëherë tregjet e energjisë.
Çmimi i naftës së papërpunuar Brent është rritur për më shumë se 20% javën e kaluar.
Të hënën, tregjet e aksioneve në Azi u hapën më poshtë: Nikkei i Japonisë dhe Hang Seng i Hong Kongut ranë për më shumë se 3%.