Çmimet e konsumit në muajin korrik të këtij vitit janë rritur për 2.2 për qind krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, ndërsa për 0.3 për qind krahasuar me qershorin e këtij viti.
Këto janë të dhënat nga Indeksi i Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), të cilin të premten e ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK)
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,2% në muajin korrik 2024, krahasuar me muajin korrik 2023. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: bileta të fluturimeve (22,0%); kafe, çaj dhe kakao (7,7%); peshq (7,7%); pije alkoolike (7,2%); pemë (6,3%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (6,0%); qelqurina, takëme dhe mjete të kuzhinës (5,9%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (5,6%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (5,6%); veshje (4,9%); kujdes personal (4,3%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (3,7%); gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare (3,6%); bukë dhe drithëra (3,1%); duhan (2,7%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (2,1%); prodhime ushqimore (2,1%); shërbime hoteliere (1,9%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (1,8%); pajisje shtëpiake (1,5%); mish (1,4%); energji elektrike (0,9%); dhe qumësht, djathë dhe vezë (0,3%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2,4 për qind në IHÇK”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Ndërsa, rënie e çmimeve thuhet se vërehet te grupi perime (-5,2%) me një ndikim prej (-0,2 për qind) në IHÇK.
Sipas ASK-së indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0,3% në muajin korrik 2024, krahasuar me muajin qershor 2024.
“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bileta të fluturimeve (8,7%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (2,9%); energji elektrike (2,3%); pemë (1,8%); mish (0,7%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,5 për qind në IHÇK. Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te grupi i COICOP-it: perime (-5,7%) me një ndikim prej (-0,2 për qind) në IHÇK”, thuhet në njoftimin e ASK-së.