Klubi rumun, Cluj, njoftoi se ka arritur marrëveshje për transferimin e sulmuesit të Ballkanit, Ermal Krasniqin. Në komunikatën e publikuar të martën, klubi i uroi mirëseardhje 24-vjeçarit.
“Në fanellën e kampionit të Kosovës, Krasniqi ka shënuar 39 gola dhe ka kryer 17 asistime vendimtare. Zhvillimet e mira në sezonet e fundit e sollën në vëmendjen e përfaqësueses së parë të shtetit të Kosovës dhe në nëntor të vitit 2022 u thirr për herë të parë në kombëtare”, thuhet në njoftim.
Interesim për Krasniqin tash e një kohë ka shprehur trajneri i Clujit, Dan Petrescu.
“Ai është një lojtar që na pëlqen, më pëlqen mua. Le të shohim nëse do të arrijmë marrëveshje me të”, ka thënë Petrescu.
Cluj dhe Ballkani ishte kundërshtarë në grupe në Ligën e Konferencës.
Në ndeshjen e parë, Ballkani barazoi si vendas me rezultat 1:1, ndërsa si mysafir u mposht 1:0.