Lidhja Demokratike e Kosovës do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda pak ditësh. Kështu ka konfirmuar kryetari në dorëheqje i këtij subjekti, Isa Mustafa që e ka udhëhequr këtë subjekt për tri mandate me radhë.
Por, çka thotë Statuti i Lidhjes Demokratike të Kosovës për dorëheqjen e kryetarit dhe brenda sa ditësh duhet të mbahen zgjedhjet e brendshme?
Neni 27 në statutin e LDK-së thotë se kryetari i këtij subjekti mund të japë dorëheqje pa i skaduar mandati.
Në rast se kryetari i LDK-së shkarkohet apo jep dorëheqje, atëherë saktësohet se brenda 60 ditësh duhet të thirret Kuvendi i LDK-së.
“27.1 Për punën e tij, Kryetari i përgjigjet Kuvendit të LDK-së. Me propozimin e 1/3 së anëtarëve të Kuvendit, mund të ngrihet çështja e votëbesimit të Kryetarit. Votimin për besim mund ta ngrejë edhe vetë Kryetari. 27.2 Me votim për shkarkim, në përputhje me nenin 21, pushon mandati i Kryetarit të LDK-së.
27.3 Kryetari mund të japë dorëheqje para skadimit të mandatit. 27.4 Në rast të paragrafit 2 dhe 3 të nenit 27, duhet të thirret Kuvendi i LDK-së, në afatin prej 60 ditësh”, thuhet në statut.
Neni 25 në statutin e LDK-së e saktëson se kryetari i këtij subjekti votohet në Kuvend të LDK-së me votim të fshehtë.
Kandidimi për kryetar bëhet në Kuvend. Secila kandidaturë duhet të miratohet me 50 për qind plus 1 të delegatëve të pranishëm.
Në rast se Kuvendi nuk aprovon më shumë se një kandidaturë, atëherë Kuvendi vendos për mënyrën e përzgjedhjes dhe votimit për Kryetar. Kryetari i LDK-së njëkohësisht është kryetar i Kuvendit, i Këshillit të Përgjithshëm dhe i Kryesisë së LDK-së.
Ani pse statuti i LDK-së thotë se kryetari i ri duhet të votohet brenda 60 ditësh, Isa Mustafa tha sot para mediave se një gjë të tillë do ta bëjë shumë më herët, pasi që do ta ftojë brenda pak ditësh mbledhjen e këshillit.
“Në shenjë të respektimit të kësaj vote dhe të hapjes së rrugëve të mëtutjeshme për riorganizim të LDK-së unë sot e kam njoftuar kryesinë që do ta thërras kuvendin për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së, me statut i kemi 60 ditë po unë do ta bëjë këtë shumë më shpejt”, tha Mustafa.
Nënkryetari i këtij subjekti ndërkaq, Lutfi Haziri ka thënë sot se e tërë kryesia është në dorëheqje.
“Nuk ka të bëjë me emra. Kryetari e tha, ne jemi kryesi në dorëheqje”, ka thënë Haziri para mediave, kur është pyetur nëse do të jetë ai kryetari i ri i LDK-së.