Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në konferencën e sotme.
Të dashur qytetarë dhe të nderuar përfaqësues të mediave,
Sot, duke u nisur nga zhvillimet e fundit në vend, bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, kemi ftuar këtë konferencë për medie, për të ju njoftuar me gjendjen aktuale në veri të vendit tonë dhe me angazhimin e institucioneve tona për ruajtjen e rendit, të sigurisë, të ligjit e të paqes.
Duam të theksojmë se mbarëvajtja e punës së institucioneve dhe shërbimeve që ato i ofrojnë po vijon. Pavarësisht zhvillimeve gjatë kësaj fundjave, institucionet vartëse të secilës ministri kanë vazhduar pandërprerë përmbushjen e detyrave të tyre.
Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet tona, mbeten të përkushtuara për vlerat demokratike dhe evropiane të sundimit të ligjit, të të drejtave dhe lirive të njeriut e të pakicave, të pluralizmit politik, të paqes e të sigurisë.
Po ashtu, dëshiroj të ju njoftoj që institucionet po vazhdojnë me realizimin e lehtësuar të procesit të regjistrimit të targave ilegale në ato RKS të shtetit tonë të pavarur, përfshirë dhe zbatimin e sekuencuar të vendimit të fundit të Qeverisë të datës 28 tetor 2022. Nga data 01 nëntor e vitit 2022, deri më tani janë shënuar 856 qortime apo vërejtje.
Karshi thirrjeve dashamirëse të institucioneve të Republikës së Kosovës, drejtuar qytetarëve të komunitetit serb për konvertimin e targave nga ilegale në ato RKS, ditëve të fundit janë intensifikuar kërcënimet dhe përpjekjet e Serbisë e të Presidentit të fqinjit tonë verior për destabilizimin e situatës në vendin tonë dhe këto kërcënime janë praktikisht të orientuara para së gjithash ndaj qytetarëve të vendit tonë, nëpërmjet ngjalljes së frikës e të panikut.
Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Qeverisë së Serbisë të shtunën, presidenti atje pati takime të ndara me ambasadorin e Rusisë dhe atë të Kinës në Beograd.
Kjo tregon qartë se Presidenti i Serbisë takohet dhe koordinohet me Rusinë e Kinën, ndërsa gënjen e zhgënjen Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Prandaj edhe çfarë po ndodh tani shpjegohet më së shumti me përpjekjen e Beogradit për ta ambalazhuar kundërshtimin e nismës franko gjermane apo të propozimit të këtyre dy fuqive evropiane.
Nuk bëhet fjalë as për tabela të automjeteve, as për Asociacion të komunave me shumicë serbe, as për suspendimin e Nenad Gjuriqit, bëhet fjalë vetëm për refuzimin që ata ia kanë bërë propozimit të Parisit dhe të Berlinit. Dhe tash duhet ta kamuflojnë këtë refuzim që ia kanë bërë Evropës, që ia kanë bërë Bashkimit Evropian, këtë koordinim të ngushtë që e kanë me Kremlinin dhe me presidentin despotik Putinin, dhe për këtë po i përdorin ata të cilët ende vazhdojnë t’i dëgjojnë në Republikën e Kosovës, pra pjesëtarë të ndryshëm të strukturave ilegale.
Serbia qartazi është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çfarëdo marrëveshje dhe rruga që e ka zgjedhur është në bashkëpunim me grupet kriminale në veri të vendit për kërcënimin e qytetarëve dhe të sigurisë në vendin tonë. Kjo rrugë nuk është e paqes e bashkëpunimit, e as ndërtimit të marrëdhënieve fqinjësore për çfarë ne angazhohemi.
Përpjekjet e tilla do të jenë të pasuksesshme, sepse shteti ynë është i fortë, demokratik, i cili ka rritje ekonomike dhe shoqërore në çdo fushë e aspect, duke qenë njëkohësisht edhe i rreshtuar me Bashkimin Europian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me NATO-n.
Në kuadër të këtij qëllimi të Serbisë dhe të përfaqësuesve politikë të saj, së fundmi i kanë shtuar edhe aktivitetet kundër Kosovës, përfshirë këtu propagandën, përhapjen e lajmeve të rreme, inskenim të incidenteve të ndryshme dhe provokime të tjera. Pasqyrimi mediatik i incidenteve te ndryshme si “incidente ndëretnike” është bërë përmes deklarimeve nga krerët shtetërorë të Serbisë, duke synuar të keqpërdorin, të shtrembërojnë të dhënat e evidentuara në Policinë e Kosovës, duke iu dhënë atyre ngjyrim ndëretnik, rasteve ordinere të ndryshme kriminale.
Bazuar në të dhënat e institucioneve tona të sigurisë, Serbia ka vazhduar presionin që serbët në Kosovë të paraqiten si të “kërcënuar e të rrezikuar”, dhe kjo me qëllim që të propagandohet se komuniteti serb “është cak i sulmeve të vazhdueshme” dhe se ata nuk na paskan siguri.
Serbët në Kosovë janë të rrezikuar nga Beogradi i cili ua djeg veturat, i cili ua djeg shtëpitë. Pra asnjë serbë nuk dyshon që djegia e veturave ka ndodhë nga shqiptarët, që të gjithë serbët e Kosovës e dinë shumë mirë që edhe rreshterit Dragan Nikoliq që iu dogj një pjesë e shtëpisë përfshirë garazhën, edhe ato automjetete të cilat u dogjën pse u konvertuan në RKS, janë djegur nga struktura që financohen e dirigjohen nga Beogradi.
Të dhënat e institucioneve tona, dëshmojnë fuqishëm atë që kemi përsëritur tash e një kohë që në vendin tonë ka harmoni ndërfetare dhe ndëretnike. Incidentet në veri të vendit, janë të organizuara politikisht nga Beogradi me qëllim që luftimin e krimit dhe të korrupsionit në institucionet e tona, e të cilin ne e bëjmë pa dallim, ta maskojnë nën petkun e incidenteve ndëretnike.
Dua të theksoj se vlerat demokratike të ndërtuara në vend, bashkëjetesa ndëretnike dhe sundimi i ligjit janë vlera të cilat duhet të mbrohen me çdo kusht dhe nuk duhet të bëhet e nuk do të bëhet asnjë kompromis.
Qeveria e Republikës së Kosovës do t’ju shërbej të gjithë qytetarëve duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në Republikën e Kosovës. Prioritet i ynë janë drejtësia dhe zhvillimi ekonomik, luftimi i korrupsionit e punësimi; barazia e mirëqenia për të gjithë, pa dallim, pra pa diskriminim.
Bojkotet nuk janë zgjidhje. Institucionet nuk kanë alternativë. Andaj, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve serbë: as mos i bojkotoni e as mos i braktisni institucionet e Kosovës, sepse ato janë shërbime publike për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe serbët. Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike.
Serbia në vazhdimësi po tregon se nuk është e interesuar për integrim të serbëve në Kosovë dhe se synon ta minojë Kosovën tonë demokratike.
Republika e Kosovës do të angazhohet për drejtësi, për ligj, për kushtetueshmëri për paqe e për siguri, dhe nuk do të shantazhohet nga organizimet kriminale kushdoqofshin dhe nga kushdo që organizohen ato.
Për fund më lejoni të ju njoftoj që pjesa dërmuese e veturave të Serbisë që kalojnë nëpër pikat tona të vendkalimeve kufitare, nuk janë me targa ilegale.
Në 3-mujorin e tretë të vitit 2022 nga gjithsej 75.000 vetura të Serbisë që kanë kaluar në pikë kalimet kufitare, vetëm rreth 6.300 sosh, apo 8.5% kanë qenë ilegale. Pra përafrisht çdo e 12-ta veturë është e tillë, 11 nuk janë të tilla nga 12 gjithsej.
Një numër i veturave me targa ilegale, që kanë kaluar nëpër vendkalimet kufitare tona është konstatuar se kanë qenë të regjistruara edhe me targa të Kosovës. Vetëm gjatë tetorit 2022, i kemi pasur 200 raste të tilla.
Pjesa dërmuese e qytetarëve që kalojnë në vendkalimet kufitare me dokument të Serbisë dhe kanë lindur në Kosovë, kanë edhe dokument të Kosovës.
Serbët e Kosovës i kanë gjithsej mbi 135 mijë karta identiteti apo letërnjoftime të Republikës së Kosovës, dhe vetëm një pakicë ekstreme është ajo e cila insiston në targa ilegale dhe rrezikon të tjerët që i kanë konvertuar apo po i konvertojnë ato.