Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike është votuar sot nga deputetët e Kuvendit të Kosovës në lexim të parë.
Ky Projektligji ka 13 nene, dhe është me kohëzgjatje deri në fund të vitit 2021. Përveç pikës së spërfolur për tërheqjen nga Trusti, projektligji parasheh ndryshime edhe në TVSH, e tatime në të ardhura për korporata.
Pika kryesore e këtij projektligji konsiderohet ndryshimi i Ligjit për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore që synohet krijimi i kompetencave për FKGK-në që të plasohen skema dhe produkte të reja në treg, të rritet përqindja e mbulesës deri në 80% për garancitë kreditore (aktualisht mbulon deri 50 për qind), të lëshojë garanci kreditore për zhvillimin e biznesit për fermerët e regjistruar në mënyrë të rregullt në regjistrin e fermerëve që mirëmbahet nga ministria përgjegjëse për bujqësi dhe të pajisur me Numër Identifikues të Fermës, edhe në rastet kur fermeri përkatës nuk ka të regjistruar shoqëri tregtare në ARBK, si dhe në rast nevoje, Qeveria e Kosovës autorizohet të mbulojë tarifat për shërbimet e FKGK-së ndaj institucioneve financiare.
Gjithashtu, ndër çështjet më të përfolura ka qenë krijimi i mundësisë që qytetarët të tërheqin 10% të kursimeve të tyre pensionale. Sipas qeverisë Hoti, me këtë mekanizëm do të futeshin në treg rreth 200 milionë euro.
Ndryshime do të ketë edhe në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Projektligji parasheh reduktimin e normës së TVSH-së nga 18% në 8%, për furnizimet e hoteleve, restoranteve, dhe shërbimeve të ushqimit si dhe lirohen nga norma e TVSH-së transaksionet e sigurimit dhe risigurimit në bujqësi, për policat e sigurimeve bujqësore për kulturat bujqësore.
Ndërsa, me këtë projektligj kërkohet që mjetet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit të mund të ridestinohen edhe për kategoritë e kërkuara ekonomike, përveç kategorisë së pagave dhe mëditjeve. Pra, do të hiqet kufizimi që mjetet e pranuara nga privatizimi të destinohen vetëm në projektet infrastrukturore.
Me ndryshimet në Ligjin për Tatim në të Ardhurat e Korporatave dhe në Ligjin për Administratën Tatimore, synohet që të mundësohet shtyrja e afatit të pagesës së tatimeve të bizneseve deri në dy vjet, sipas kritereve që do të përcaktohen, si dhe lirimi i të gjitha bizneseve nga ngarkesa e interesit për mospagesë të tatimeve, me kusht që të paguhen deri në fund të këtij viti.
Kujtojmë që Projektligji që u votua sot, për të hyrë në fuqi, duhet të kalojë në Kuvend edhe në leximin e dytë. Pas leximit të dytë duhet të dekretohet nga Presidenti e më pas të publikohet në Gazetën Zyrtare.