Çka janë vajrat e farave dhe a janë të rrezikshme për shëndetin?

Vajrat nga farat janë bërë temë e diskutimeve të shumta, duke shkaktuar shqetësime se mund të ndikojnë negativisht në shëndet.
CBS News ka shkruar se një studim i publikuar javën e kaluar në revistën Gut nxiti raportime tituj që ndërlidhën vajrat nga farat me kancerin e zorrës së trashë, por disa ekspertë kanë thënë se këta tituj janë të pasaktë.

Çfarë janë vajrat nga farat?

Ndryshe nga vajrat e tjera bimore, të cilat nxirren nga frutat e bimëve, vajrat nga farat nxirren nga farat e bimëve. 
Për shembull, vaji i lulediellit është i bërë nga farat e lulediellit, duke e bërë atë një vaj nga farat, ndërsa vaji i ullirit është i bërë nga ullinjtë, frutat e bimës.

Disa vajra nga farat, si vaji i susamit, gjithashtu kanë aromë dhe mund të shtojnë shije në ushqime, duke i bërë ato të popullarizuar në kuzhina.

A paraqesin rreziqe për shëndetin?

“Pas analizimit të të dhënave që kemi, vajrat nga farat nuk paraqesin rreziqe për shëndetin. Në fakt, kur shikohet në të dhënat tona, përdorimi i vajrave nga farat, në vend të yndyrave si gjalpi dhe yndyrave nga kafshët, përmirëson nivelet e kolesterolit dhe ul rrezikun e sëmundjeve si sëmundjet e zemrës dhe diabeti tip 2”, ka thënë për CBS News Kristina Petersen, profesoreshë e shkencave ushqimore në Universitetin e Pensilvanisë.

Doktori Steven Shamah, nga spitali “Lenox Hill”, ka theksuar për CBS News, se çdo gjë duhet të konsumohet me masë.

“Si të gjitha vajrat e tjera, vajrat nga farat përmbajnë yndyra, të cilat janë të rëndësishme për ushqyerje të ekuilibruar, por në sasi të caktuara. Lloji i yndyrës, e ngopur ose e pangopur, është gjithashtu i rëndësishëm”, ka thënë ai.

Yndyrat e ngopura, që gjenden te mishi, qumështi dhe arra e kokosit mund të rrisin nivelet e kolesterolit, prandaj rekomandohet konsumi i kufizuar i tyre.

Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon që jo më shumë se 5 deri 6% e kalorive ditore të merren nga yndyrat e ngopura.

Vajrat nga farat janë të pasura me yndyra të pangopura. Studimet sugjerojnë se këto yndyra mund të ulin nivelin e kolesterolit “të keq” dhe të rrisin nivelin e “e mirë” të tij.

“Këto vajra gjithashtu janë të pasura me acidin yndyror omega-6, linoleik, i cili, ani se është thelbësor për funksionet e trupit, duhet të balancohet me acide yndyrore omega-3. Acidi linoleik, që gjendet zakonisht në vajrat nga farat, është i dobishëm në sasi të vogla, por në sasi të mëdha, është i dëmshëm për bakteret e dobishme të mikrobiomit”, ka thënë Shamah.

Ai ka shtuar se konsumimi i tepërt mund të jetë i zakonshëm në dietat moderne, pasi vajrat nga farat janë të pranishme në shumë ushqime të përpunuara.

Pse disa i konsiderojnë të këqija për shëndetin vajrat nga farat? 

Kritikët e vajrave nga farat thonë se acid yndyror omega-6 që gjendet në këto vajra, shndërrohet në toksina kur përdoret për gatim, duke shkaktuar probleme të shumta shëndetësore si inflamacioni, dobësimi i sistemit imunitar dhe kontribuimi në sëmundje kronike.

Përkundër kësaj, ekspertët thonë se ky shndërrim i acidit linoleik në acid arahidonik nuk është shkak për shqetësim.

Petersen ka thënë se këto pohime për “produkte toksike” janë të zakonshme nëpër rrjete sociale, por të dhënat e provave klinike tregojnë se shenjat e inflamacionit nuk ndryshojnë kur njerëzit konsumojnë acidin omega-6, linoleik.

Gjithashtu, vetëm një pjesë e vogël (rreth 0.2%) e omega-6 shndërrohet në acid arahidonik, sipas Spitalit të Përgjithshëm të Massachusetts.

Doktori Christopher Gardner, profesor i mjekësisë në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Stanfordit dhe shkencëtar i ushqimit, ka thënë për Shoqatën Amerikane të Zemrës se ky argument rreth acideve yndyrore omega-6 është i gabuar.

Ani pse omega-6 mund të jetë proinflamator, niveli i inflamacionit që është i lidhur me të nuk është dëshmuar të jetë i dëmshëm.

“Omega-6 është yndyrë e polisaturuar, për të cilën trupi ka nevojë, por nuk mund ta prodhojë vetë, prandaj duhet të merret nga ushqimi. Yndyrat e polisaturuara ndihmojnë trupin të ulë kolesterolin e keq, duke ulur rrezikun për sëmundje të zemrës dhe goditje në tru. Shoqata Amerikane e Zemrës mbështet përfshirjen e acideve yndyrore omega-6 si pjesë të një diete të shëndetshme”, ka thënë Gardner.

Një shqetësim më i madh duhet të jetë mosndërgjegjësimi për sasinë e vajrave nga farat që duhet të konsumohen, pasi ato janë të pranishme edhe në shumë ushqime të përpunuara. 

Lista e vajrave të zakonshme nga farat:

Canola

Misri

Luledielli

Farat e kungullit

Farat chia

Susami

Kikiriku

Farat e rrushit

Soja

Lista e vajrave të zakonshme që nuk krijohen nga farat:

Ulliri

Avokadoja

Arra e kokosit