Çka është Shën Valentini?

Dita e Shën Valentinit, që festohet më 14 shkurt, është një ditë kur të dashuruarit shprehin dashurinë e tyre përmes urimeve dhe dhuratave. 

Britannica ka shkruar se duke pasur parasysh ngjashmëritë, është sugjeruar që kjo festë ka origjinën nga festivali romak i “Luperkalisë”, i cili mbahej në mes të muajit shkurt. Ky festival festonte ardhjen e pranverës. 

Në fund të shekullit të V-të, Papa Gelazius i ndaloi festimin e Luperkalisë dhe shpesh i atribuohet se ai e zëvendësoi atë me Ditën e Shën Valentinit. Megjithatë origjina e vërtetë e festës mbetet e paqartë. 

Dita e Shën Valentinit nuk u festua si dita e romancës deri në periudhën rreth shekullit 14-të.

Edhe pse ka pasur disa martirë të krishterë me emrin Valentin, kjo ditë mund të ketë marrë emrin nga një prift që u martirizua rreth vitit 270 nga perandori Klaudi II Gothicus.

Sipas legjendës, prifti nënshkroi një letër “nga Valentini juaj” për vajzën e robëruesit të tij, me të cilën ishte miqësuar dhe, sipas disa burimeve, e kishte shëruar nga verbëria.

Disa legjenda të tjera thonë se festa ka marrë emrin nga Shën Valentini i Ternit, i cili ishte peshkop, edhe pse sipas Britannicas është e mundur që këta dy shenjtorë të kenë qenë një person.

Një legjendë tjetër thotë se Shën Valentini kundërshtoi urdhrat e perandorit dhe fshehurazi martoi çifte për t’i shpëtuar burrat nga lufta. Për këtë arsye, dita e tij e festës është lidhur me dashurinë.

Mesazhet formale, ose kartolinat e Shën Valentinit u shfaqën në shekullin e 16-të, dhe u përdorën deri në fund të shekullit të 18-të.

Kartolinat e para komerciale për Shën Valentin në Shtetet e Bashkuara u shtypën në mesin e shekullit të 19-të. Në to zakonisht paraqitej Kupidi, perëndia romake e dashurisë, së bashku me zemrat, të cilat janë tradicionalisht simbol i emocioneve.
Pasi ishte menduar se sezoni i çiftëzimit të shpendëve fillon në mes të shkurtit, shpendët gjithashtu u bënë një simbol i kësaj dite.

Dhuratat tradicionale përfshijnë çokollata dhe lule, veçanërisht trëndafila të kuq, simbol i bukurisë dhe dashurisë.

Kjo festë është popullore në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Kanada dhe Australi, dhe gjithashtu festohet në vende të tjera, duke përfshirë Argjentinën, Francën, Meksikën dhe Korenë e Jugut.

Në Filipine, Dita e Shën Valentinit është data më e zakonshme e dasmave.

Festa është zgjeruar edhe për të shprehur dashurinë mes të afërmve dhe miqve.