Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se në projektbuxhetin për vitin 2024 shumica e projekteve kapitale janë të qeverive të kaluara.
Çitaku në një postim në Facebook ka thënë se projektet e reja janë ndarë për komuna ku qeverisë Vetëvendosja.
“Shumica e investimeve kapitale për buxhetin e planifikuar të kësaj qeverie janë për projekte të moçme, të qeverive paraprake. Ndërsa te projektet e reja, gjysma e parave janë ndarë për ato pak komuna ku sundon Vetëvendosja”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka akuzuar Qeverinë për propagandë.
“Sipas raporteve kredibile, janë mu këto pak komuna ku transparenca dhe ekzekutimi i projekteve kapitale është më e ulëta. Pra paratë e taksapaguesve po ndahen në baza partizane. Këto janë fakte. Numra. Raporte. Çdo gjë tjetër është propagandë, e vetmja fushë ku qeveria po shkëlqen”, ka shkruar Çitaku.