Instituti i Mikrobiologjisë Molekulare në kuadër të IKSHPK-së ka bërë të ditur se të dielën mbrëma janë konfirmuar edhe tre raste të reja me koronavirus. Tani më janë kryer më shumë se 1 mijë testime ndërsa rezultojnë 94 persona të prekur me virusin Covid-19 në Kosovë.
Shumica e vendeve ku ka të prekur me virus janë izoluar me vendim të autoriteteve.
Komuna e Malishevës ka më së shumti të prekur. Pasi u konfirmua edhe një rast kontakti nga fshati Kievë i kësaj komune, numri total i të prekurve ka shkuar në 33. Pas kësaj komuna me më së shumti të prekur është Gjilani me 15 persona.
Në kryeqytet ditët e fundit po shtohen numrat e të prekurve. Tani janë 14 të prekur gjithsej, ndërkohë në komunën e Vitisë janë 7 të prekur.
Vushtrria dhe Gjakova kanë nga 6 të prekur ndërsa Podujeva 4. Në këtë komunë një person ka ndërruar jetë pas u infektua.
Autoritetet kanë bërë të ditur se komuna e Klinës prej datës 6 prill nuk do të jetë më në karantinë. Kjo ishte ndër komunat e para kur u shfaq një person i prekur me koronavirus. Por, një femër që kishte ardhur nga Italia ka mbetur e vetmja që ka rezultuar e prekur.
Ndërkohë, në komunën e Ferizajt, Obiliqit, Prizrenit, Lipjanit, Shtimes dhe Pejës ka vetëm nga një rast të të prekurve me virusin Covid-19.