Cilat fruta mund të bartin viruse?

Deri më tani, frutat e malit janë konsideruar si fruta që nuk përbëjnë shqetësim kur bëhet fjalë për bartjen e viruseve, por AOL ka shkruar se mund të jetë e kundërta.

Ditë më parë Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka njoftuar një strategji të re për të ulur rrezikun e bartjes së viruseve që mund të ndodhen nëpër frutat e malit.

Objektivi i kësaj strategjie është përmirësimi i respektimit të rregulloreve të sigurisë ushqimore, rritja e njohurive shkencore për viruset dhe inkurajimi i industrisë dhe qeverive për të përdorur masa parandalimi për ruajtjen e shëndetit publik. 

Cilat janë llojet e frutave të malit që kanë më shumë mundësi të kontaminohen?

Eksperti i sigurisë ushqimore, Darin Detwiler, ka thënë se viruset që përbëjnë shqetësimin më të madh për frutat e malit janë norovirusi dhe hepatiti A.

Strategjia e re e FDA-së është krijuar pikërisht për të parandaluar që këto viruse të përfundojnë në frutat tuaja.

Norovirusi shkakton simptoma si të vjella dhe diarre dhe është shumë ngjitës.

Hepatiti A ndikon në mëlçi dhe mund të shkaktojë simptoma si diarre, lodhje, dhimbje kyçesh dhe ngjyrë të verdhë në lëkurë dhe sy.

Ndërsa të gjitha frutat e malit mund të jenë të kontaminuara, ato të ngrirat janë më të rrezikshmet, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

“Edhe pse rreziku i përgjithshëm i infektimit me ndonjë virus nga frutat e malit të ngrira mbetet relativisht i ulët, qëndrueshmëria e viruseve si norovirusi dhe hepatiti A në kushte ngrirjeje është shqetësuese”, ka shpjeguar Detwiler, autor i librit “Food Safety: Past, Present, and Predictions”.

Si mund të parandalohet kontaminimin i frutave të malit?

Një nga problemet me kontaminimin është se këto fruta mblidhen me dorë, shpesh nga punëtorë që nuk kanë qasje në kushte të duhura higjienike ose trajnim të duhur. Nëse një punëtor që mbledh fruta të malit është i infektuar me norovirus ose hepatiti A dhe nuk i pastron duart, ai mund t’i transferojë këto viruse në fruta.

Të dyja viruset janë “të qëndrueshme”, që do të thotë se është e vështirë të zhduken. Parandalimi nis që nga praktikat e sigurta të korrjes, por ka disa hapa që mund t’i ndërmerrni në shtëpi gjithashtu.

Studimet kanë treguar se frutat e malit duhet pastruar para konsumimit, ani pse në disa paketime mund të shkruhet se janë “të lara” tashmë. Ekspertët këshillojnë që t’i lini pak në ujë me sodë bikarbonat e pak uthull, e pastaj të shpëlahen.

“Edhe nëse nëpër paketime shkruan se janë ‘të pastruara’ gjithmonë lajini ato”, këshillon Detwiler.