Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes e ka cilësuar si të vështirë përballjen me Moladvinë. E edhe më të vështirë thotë se ia ka bërë punën situata e krijuar nga pandemia e koronavirusit. Megjithatë, Challandes në konferencën e mbajtur të mërkurën në Itali nëpërmjet aplikacionit “Zoom”, një ditë para ndeshjes ka thënë se ndaj Moldavisë pret lojë të mirë dhe fitore.
Sipas tij, është shumë e rëndësishme që Kosova të ketë paraqitje të mirë dhe të startojë me fitore në edicionin e Ligës së Dytë të Kombeve. Takimi në mes Moldavisë dhe Kosovës do të zhvillohet të enjten mbrëma (20:45) në stadiumin “Ennio Tardini”, në Parma të Italisë. Kjo ndeshje, që luhet në terren neutral për shkak se Moldavia nuk ka marrëdhënie diplomatike me Kosovën, i takon Grupit C.
“Për ne është ndeshje e rëndësishme dhe jo e lehtë. Është test i mirë për ekipin tonë, si mund të luajmë kundër një ekipi të tillë. Më e rëndësishmja është që të luajmë mirë dhe të fitojmë”, ka thënë Challandes.
Challandes, stafi i tij dhe një pjesë e futbollistëve të grumbulluar prej së hënës në Kosovë, të mërkurën gjatë ditës, kanë mbërritur në Parma të Italisë. Udhëtimin e kompletuar e kanë bërë vetëm pasi pranuan rezultatet negative të testit për COVID-19, që e kishin bërë një ditë më herët. Dhe, për ndeshjen kundër Moldavisë vetëm të mërkurën mbrëma ekipi ka stërvitur i kompletuar. Kosovës iu bashkuan edhe shtatë futbollistët që munguan në dy stërvitjet e mbajtura të martën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë. Pjesës tjetër të ekipit në Parma të Italisë iu bashkuan plot shtatë lojtarë: Samir Ujkani, Hekuran Kryeziu, Herolind Shala, Benjamin Kololli, Leart Paçarada, Milot Rashica dhe Elbasan Rashani. Por Challandes në Kryeziun, Kolollin, Paçaradën, Rashicën dhe Rashanin nuk do të mund të llogarisë për ndeshjen e dytë, atë të së dielës ndaj ish-kampiones së Evropës, Greqisë. Ata do të duhet të rikthehen tek ekipit e tyre për t’i shpëtuar karantinimit.
“Natyrisht nuk është situatë e mirë të dalim me vetëm një stërvitje për ndeshje ndërkombëtare, në këtë rast për ndeshje të Ligës së Kombeve. Nuk është mënyra më e mirë, por nuk mund ta ndërroj këtë situatë dhe ne duhet ta bëjmë më të mirën në këtë situatë”, është shprehur Challandes.