Challandes ende nuk e di se cilët lojtarë do t’i ketë në dispozicion

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll javën tjetër do të grumbullohet sërish, pas afër nëntë muajsh, për duelet e Ligës së Kombeve, ndaj Moldavisë e Greqisë. Në tetor Kosova do të luajë kundër Maqedonisë së Veriut. Por grumbullimi do të jetë jo si herëve të tjera, pasi është situatë shumë e komplikuar. Ka shumë prej futbollistëve kosovarë të cilët luajnë në futbollin zviceran. Dhe pikërisht ky është problemi më i madh, të cilin e ka pranuar edhe vetë përzgjedhësi Bernard Challandes.

Në një intervistë dhënë për “Sportin Total”, përzgjedhësi Challandes tha se ende nuk e di se cilët futbollistë do t’i ketë në dispozicion. Ai tha se po bëjnë përpjekje të mëdha që shteti zviceran e ai norvegjez të bëjnë lëshime për futbollistët e Kosovës dhe kur të kthehen në shtetet e tyre të mos karantinohen.

“Nuk jam i sigurt nëse Kololli, Kryeziu, Shala, Rashani apo Rashica do të vijnë për një ndeshje, për asnjë ndeshje, për dy ndeshjet, nuk e di. Po luftojmë me klubet, me Qeveri. Në rregull, Kosova është në listën e kuqe. Kam folur me autoritetet në shtetin tim, në kantonin tim dhe kur të kthehem në shtëpi do të jem në karantinë. Për mua nuk është problem i madh, do të qëndroj në shtëpi, por për futbollistët është e pamundur”, ka thënë ndër të tjerash Challandes.

Përzgjedhësi Challandes në intervistën dhënë “Sportit Total”, që do të transmetohet në KTV gjatë emisionit të sportit, duke filluar nga ora 22:15, ka folur edhe për ndeshjet e Ligës së Kombeve, atë kundër Maqedonisë Veriore, për formën e lojtarëve, për shqiptarët që kërkohen nga Përfaqësuesja e Kosovës, për lëndimin e Vedat Muriqit e shumë çështje të tjera.