Challandes: Duhet të tregojmë lojë të mirë e të fortë edhe ndaj Greqisë

Seleksionuesi i Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se futbollistët e tij duhet të tregojnë lojë të mirë e të fortë edhe ndaj Greqisë të dielën, ashtu siç bën ndaj Gjeorgjisë dy ditë më herët.

Challandes e di se kundërshtari që kanë përballë kanë një skuadër tejet kualitative.

“Ndeshja me Greqinë është e rëndësishme për ta konfirmuar ndeshjen e mirë në Gjeorgji. Luajmë ndaj një ekipi me lojë e lojtarë të mirë. Duhet të tregojmë edhe një herë lojë të mirë e të fortë. Ndeshja e parë ishte e mirë. Ndeshja e dytë nuk duhet të jetë problem, nuk kemi shumë lojtarë me lëndime. Rigjenerimi shkoi shumë mirë. Ishte përgatitje e mirë për ndeshjen e dytë. Ndeshja e tretë do të jetë e vështirë. Duhet të kemi kujdes edhe nga kartonët. Lojtarët janë gati për duelin e së dielës”, deklaroi zvicerani.

70-vjeçari u pyet edhe për fitoren minimale ndaj Gjeorgjisë, duke u shprehur mjaft i lumtur me tre pikët e fituara.

“Jam shumë i lumtur me ndeshjen në Gjeorgji. Jo vetëm për rezultatin. Fillimisht kemi bërë paraqitje të mire, teknikisht, mentalisht. Ekipi ishte kolektiv. Pikët më të rëndësishme për të ardhmen. Na pret ndeshje e vështirë tani menjëherë kundër Greqisë. Ekipi ka luajtur me mentalitet të mirë, të bashkuar. Ishte mentalitet ndryshe edhe në taktikë e teknikë. Ishte më shumë se ndryshim mentaliteti në kokë. Ka qenë e rëndësishme se si kemi luajtur me topin, si jemi mbrojtur mirë. Rashani, Kastrati e Bytyqi patën lojë të mirë kundër Gjeorgjisë”, vijoi Challandes.

Trajneri i Kosovës gjithashtu foli edhe për rikthimin e tifozëve në tribuna.

“Është shumë e rëndësishme që tifozët janë kthyer. Nuk është njëjtë kur stadiumi është i mbushur plotë e kur është vetëm 10 për qind. Por është gjë e mirë që një numër i tyre do të jetë në stadium. Covid-19 na ka shkaktuar shumë probleme. Me 10 për qind, Dardanët mund të bëjnë shumë zhurmë”, potencoi ai.

Sa i përket Astrit Selmanit, Challandes shtoi se aktivizimi i tij varet prej rrjedhës së lojës.

“Astriti është mirë në ekip. Punon mirë. Secili futbollist duhet t’i meritoj minutat kur të aktivizohet. Varësisht prej situatës do të vendosim gjatë rrjedhës së lojës për Selmanin se a do të aktivizohet a jo”, deklaroi ai.

Challandes konfirmoi se Elbasan Rashani është në dyshim për ndeshjen e nesërme, ndërsa Visar Bekaj do të mungojë për shkak të infektimit me COVID-19.

Kosova dhe Greqia takohen nesër nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri” në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e Botërorit 2022.