Kombëtarja e Kosovës në futboll është mposhtur 3:1 nga Spanja në stadiumin “La Cartuja” në Sevillë, në kuadër të Grupit B kualifikues për kampionatin botëror “Katar 2022”.
Spanja shënoi dy gola kundër Kosovës brenda 2 minutave.
Golin për epërsinë e Spanjës (1-0) e shënoi Dani Olmo në minutën e 34-të, ndërsa golin e dytë për nikoqirët e shënoi Ferran Torres në minutën e 36-të.
Besar Halimi shënoi golin e parë të Kosovës kundër Spanjës nga 30 metra largësi, në minutën e 70-të.
Mirëpo, “Dardanëve” nuk u zgjati gëzim më shumë se pesë minuta, për shkak se në minutën e 75-të Spanja shënoi golin e tretë.
Pas ndeshjes, ka folur për SuperSport trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes.
“Nuk mund të them diçka skuadrës, sepse kemi luajtur kundër një ekipi shumë të fortë. Ata nuk ia japin topin kundërshtarit. Nëse ti i bën presion, ata të zënë në kundërsulm. I patë shumicën e lojtarëve të tyre, ndoshta më të mirët në botë, se si luanin. Nuk ishte e lehtë, lojtarët tanë kanë tentuar, vrapuar, provuar, por nuk ishte e lehtë kundër Spanjës”, u shpreh ai.
“Nuk mund të thuash se nuk kemi progres, kemi luajtur kundër Suedisë një skuadër e fortë dhe kundër Spanjës një tjetër skuadër shumë, shumë e fortë”.
Humbjen e Kosovës ndaj Spanjës, selektori e arsyetoi me forcën e Spanjës, e cila kishte shënuar gjashtë gola ndaj Gjermanisë.
“Kemi mundur të pranonim më shumë gola, ka ndodhur me Gjermaninë, ka pranuar gjashtë, gjashtë. Ne jemi Kosovë dhe kemi luftuar kundër një skuadër shumë të fortë. Kjo është mënyra se si ne bëjmë progres”.
“Kurrë s’kemi luajtur kundër një kundërshtari si ky, progresi është një rrugë e gjatë. Ti nëse dëshiron mund të kritikosh trajnerin, po kjo skuadër ka probleme, me lëndime e gjëra tjera, ne po luajmë në kualifikime për Botërorin ku mund të shkojnë vetëm 12 ekipe, duhet ta kuptoni sa vështirë është për ne”.
Kosova tani gjendet e fundit në Grupin B me zero pikë.
Spanja prin me 7 pikë, e ndjekur nga Suedia me 6 pikë, Greqia e treta me 2 pikë dhe Gjeorgjia para Kosovës me një pikë pas tri ndeshjeve.