Qeveria në detyrë e Kosovës ka votuar për heqjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës dhe zëvendësimin e saj me masën graduale të reciprocitetit tregtar ndaj Serbisë.
Vendimi obligon që në marrëdhëniet me Serbinë, emërtimet te certifikatat fitosanitare dhe veterinare të përdoren në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
Zbatimi i këtij vendimi do të rishikohet së paku një herë në muaj. Po nga ky vendim shfuqizohen vendimet 01/76 dhe 06/82 të datës 21 nëntor dhe 28 dhjetor 2018.
Ky është vendimi i Qeverisë për heqjen e taksës dhe zbatimin e reciprocitetit ndaj Serbisë (Dokument)
Vendimi do mbetet në fuqi deri më 15 qershor 2020, kur do të bëhet vlerësimi i zbatimi të tij.
“Që nga hyrja në fuqi e CEFTA-s, Serbia ka vendosur një sërë barrierash tregrare jotarifore ndaj Republikës së Kosovës, duke përfshirë barrierat në transit, barrierat teknike dhe barrierat politike. Kështu, Serbia ka dëmtuar eksportuesit dhe importuesit nga Republika e Kosovës dhe ka shkaktuar një deficit të lartë tregtar për Republikën e Kosovës”, thuhet në njërën nga pikat e arsyetimit të vendimit për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, tarifën doganore 100 për qind e kishte vendosur qeveria e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit 2018.
Tarifa 100 për qind për importet nga Serbia ka ndikuar që dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërpritet.
Kundër kësaj takse, që nga vendosja e saj, ishin deklaruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, pasi që nga ajo kohë, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë ishte ndërprerë.
Një masë reciprociteti ndaj Serbisë, Kosova e kishte aplikuar edhe në korrik të vitit 2011.
Ky reciprocitet në atë kohë ishte marrë pasi që Serbia për tre vite pas shpalljes së pavarësisë, kishte bllokuar mallrat nga Kosova për shkak të ndërrimit të vulave nga ato të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/