Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti ka vendosur që mos ta bëj publik draft-statutin e fundit të Asociacionit.
Ky draft-statut iu prezantua Kosovës dhe Serbisë më 21 tetor nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE), Shteteve të Bashkuara (SHBA), Francës, Gjermanisë dhe Italisë.
Më pas, dy palët deklaruan se dokumenti ishte “i pranueshëm” për to, por hollësitë rreth përmbajtjes së tij nuk janë bërë të ditura ende, shkruan Front Online.
Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandër Vuçiq e kanë arsyetuar ruajtjen e fshehtësisë së përmbajtjes së këtij dokumenti duke thënë se një gjë e tillë u është kërkuar nga pesë emisarët perëndimorë.
Të hënën dhe të martën në Kosovë për vizitë ka qëndruar emisari për dialog, Miroslav Lajçak.
Ai gjatë kësaj vizite është takuar edhe me përfaqësues të partive opozitare.
Nga PDK-ja dhe LDK-ja, kanë deklaruar se Lajçak nuk ua ka prezentuar draft-statutin e Asociacionit.
Por, të kundërtën e deklaroi lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Për, mbajtjen fshehtë të tij dhe atë se si mund të jetë ky draft e për të cilin kryeministri Albin Kurti, po thotë pas nënshkrimit do të shikohet nga Kushtetuesja kanë folur njohës të kësaj çështje.
Arifi për mospublikimin e draft-statutit të Asociacionit: Ka arsye për shqetësim
Ish-kryenegociatori Avni Arifi deklaron se derisa kryeministri Kurti nuk po e publikon draftin e Asociacionit ka arsye për shqetësim.
Dhe, këtë e thotë për një arsye.
“Nuk e di se çfarë përmban draft- statuti i asociacionit por me vet faktin se nuk po publikohet ka arsye për shqetësim. Kurti dhe VV në të kaluarën kurdo që kanë marrë dokumente konfidenciale hiq problem nuk e kanë pas me i publiku e sidomos Kurti ka qenë i njohur për publikim edhe të bisedave informale. Nuk dua të paragjykoj se çfarë ka e çfarë nuk ka ne propozim por ta shohim kur te publikohet”, është shprehur Arifi për Front Online.
I pyetur se a do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ish-kryenegociatori ka dhënë këtë përgjigje.
“Besoj se po sepse statuti duhet te dërgohet në Gjykate kushtetuese”, ka thënë ai.
E, një takim mes kryenegociatorit të Kosovës Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq pritet të ndodhë më 16 nëntor.
Për, këtë Arifi pohon se jo vetëm në këtë takim për në gjithë takimet temë do të jetë draft-statuti i Asociacionit.
“Tema do të jetë draft statuti dhe ecuria e çdo takimi do të jetë në varësi të kësaj teme”, ka deklaruar shkurt Arifi.
Baraliu: Draft-statuti i Asociacionit mund të jetë autonomi substanciale për serbët në veri
Ani pse drafti i statutit të Asociacionit nuk është bërë ende publik, njohësi i çështjeve ksuhtetuese, Mazllum Baraliu, thotë për Front Online se nga ajo që është thënë prej Bashkimit Evropian, del që nuk ka zgjidhje të mirë sa i përket kësaj çështjeje.
E, duke u bazuar në objektivat e BE-së, Baraliu, pohon se ky draft mund të jetë një autonomi e gjerë për serbët në veri.
“Ky teksti nga objektivat që pash paraqet më shumë se ato marrëveshjet e Brukselit të 2013 dhe 2015, një autonomi të gjerë, një vetëqeverisje, autonomi madje siç thuhet atje substanciale dhe pozita të dyfishta do të thotë diçka që unë nuk e kam parë në kanalet e marrëdhënieve ndërkombëtare shpesh siç që nënkupton standardet më të larta që dikund ekzistojnë, pra është absurde, është diçka e dëmshme dhe nuk ka se pse të mburret askush me të nga Kosova, as këta që po dialogojnë atje”, ka deklaruar Baraliu, për Front Online.
Sipas tij, teksti i këtij drafti të fundit nuk po del të jetë në përputhje me Kushtetutën.
“Mendoj që nga objektivat që kam parë nuk do të del një tekst i dobishëm, i pranueshëm për Kosovën dhe në përputhje me Kushtetutën, por do të jetë e kundërta e saj”, ka shtuar ai.
Deklaron se në veri të vendit do të krijohet autonomi substanciale.
“Në bazë të objektivave po them do të ketë autonomi substanciale. Prandaj nga kjo jam i sigurtë, po them ndoshta edhe me naivitet, ndoshta s’kam të drejtë por nga përvoja ime me sjell të një konkluzion që ajo që është thënë aty autonomia substanciale është shtet në shtet dhe kjo është në kundërshtim me Kushtetutën, me ligjet tona, me konceptin, frymën dhe shkronjën e këtij shteti dhe Kushtetutës”, ka thënë ndër të tjera Baraliu.
Kryeziu: Draft-statuti i ri i Asociacionit në përputhje me Kushtetutën
Por, ndryshe mendon, ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.
Ai thotë për Front Online se Asociacioni bazën e ka në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe se fillimi i strukturës së Asociacionit është ekuivalent me asociacionin e komunave tona që tash janë në funksion si shoqëri joqeveritare.
Ndërsa, konsideron se edhepse draft-statuti nuk është bërë publik është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
“Prej gjithë këtyre statuteve, projekt-statuteve është nxjerrë apo hartuar një projekt i tillë i cili ende nuk ka dal në publik dhe konsideroj se është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet për vetëqeverisje lokale, po ashtu është në harmoni me Kartën Evropiane të vetëqeverisjes lokale”, ka deklaruar Kryeziu.
I, pyetur se a mund të ketë Asociacioni, kompetenca ekzekutive, Kryeziu ka sqaruar se çfarë nënkuptojnë kompetencat ekzekutive.
“Kompetencat ekzekutive vet qeveria që i ka në nivel republike dhe qendror, kompetencë ekzekutive kanë edhe komunat. Kryetarët e komunave janë ushtrues të detyrës së kompetencave ekzekutive, këto kompetenca kanë me qenë ekzekutive –administrative të karakterit lokal, të pushtetit lokal, jo të pushtetit qendror, unë e konsideroj kështu për shkak se Asociacioni ka me funksionu në bazë të një akti nënligjor statuti ku pastaj kanë të drejtë të nxjerrin rregullore, vendime, të cilat po ashtu janë ekzekutive”, ka thënë ai për Front Online.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje.
Nga ana tjetër, Beogradi ka ngulur këmbë që Asociacioni të formohet ashtu siç u arrit pajtim në Bruksel, e jo që disa pika të harmonizohen me Kushtetutën e Kosovës, siç ka propozuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Ndërkohë, në fund të shkurtit të këtij viti, të dyja palët e pranuan propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, dhe më pas në mes të marsit, aneksin për zbatimin e tij. Ajo marrëveshje, ndër të tjera, parasheh që pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë t’iu jepet një nivel i caktuar i vetëmenaxhimit.