Çfarë dihet për variantin e ri të koronavirusit

Shpërndarja e përnjëhershme e një varianti të ri të koronavirusit është konsideruar si fajtori kryesor për fillimin e masave me katër nivele për miliona njerëz, që konsistojnë me masa më të rrepta për takimet në Krishtlindje në Angli, Skoci, Uells dhe në vendet e tjera, duke e vënë Mbretërinë e Bashkuar në listën e vendeve të ndaluara për udhëtim

Por, si u bë që ndodhi gjithë kjo?

Këshilltarët e Qeverisë britanike kanë thënë se virusi i variantit të ri ka mundësi që të shpërndahet më shumë sesa llojet e tjera. E gjithë puna është në një fazë fillestare, përmban pasiguri të mëdha dhe një listë të gjatë të pyetjeve pa përgjigje. Sikurse është potencuar edhe më herët, viruset ndryshojnë tipare tërë kohën dhe është qenësore që të përqendrohemi nëse po ndryshon sjellja e virusit.

Pse ky lloj po shkakton shqetësime?

Janë tri gjëra që po ndodhin bashkërisht dhe që po rrokin vëmendje: Janë duke u zëvendësuar me shpejtësi llojet e tjera të virusit.

Image

Ka mutacione që i prekin disa pjesë të virusit, të cilat me gjasë janë të rëndësishme dhe disa prej këtyre mutacioneve tashmë kanë treguar në laboratorë se e shtojnë aftësinë e virusit për t’i infektuar qelizat.

Të gjitha këto vijnë njëkohësisht për ta krijuar një mundësi të re për një virus që mund të shpërndahet më lehtë. Sidoqoftë, asnjëra nuk ngërthen siguri të plotë. Valët e reja mund të jenë më të zakonshme, thjesht duke qenë në vendin e duhur në kohën e duhur – si në Londër, që ka qenë vetëm në nivelin e dytë të masave deri së fundmi.

“Duhen bërë eksperimente laboratorike, por a doni të prisni javë ose muaj (për t’i marrë rezultatet dhe për të vepruar për ndaljen e shpërndarjes)? Ndoshta jo në këto kushte”, ka thënë profesori Nick Loman, nga konsorciumi “COVID-19 Genomics UK Consortium”.

Sa e shpejtë është shpërndarja?

Varianti i ri i koronavirusit së pari ishte vërejtur në muajin shtator. Në nëntor, rreth një e katërta e rasteve në Londër ishin nga soji i ri. Dhe në mes të dhjetorit, shifrat ishin përafërsisht sa dy të tretat e të gjitha rasteve. Të dhënat sugjerojnë se virusi i ri ka filluar t’i dominojë rezultatet e testimeve në disa qendra, siç është laboratori Milton Keynes Lighthouse.

Matematikanët kanë qenë duke i regjistruar shifrat e shpërndarjes së llojeve të ndryshme, duke u përpjekur që ta llogarisin se sa larg ka shkuar ky virus.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë se soji i ri është 70 për qind më i përhapshëm. Ai ka thënë se kjo mund ta rrisë numrin R – që tregon nëse një epidemi është duke u rritur apo duke u shuar – në 0.4. Kjo shifër prej 70 për qind është shfaqur në një prezantim të së premtes nga Kolegji Mbretëror i Londrës.

“Është herët që të flasim… por nga krejt që po i shohim deri më tani është duke u rritur shumë shpejt, është duke u rritur më shpejt sesa është rritur lloji tjetër, por është e rëndësishme ta përcjellim”, ka thënë ai.

Nuk ka ndonjë shifër që sugjeron se sa infektues mund të jetë ky lloj i ri. Shkencëtarët, puna e të cilëve ende nuk është publikuar, kanë thënë se shifrat janë edhe më të larta, por edhe më të ulëta se 70 për qind. Por mbetet ende pikëpyetje nëse varianti i ri është më infektues në përgjithësi. “Sasia e provave në domenin publik nuk është ende në nivelin e duhur për të dalë me opinione të forta dhe të sigurta lidhur me çështjen nëse virusi e ka rritur përnjëmend forcën e shpërndarjes”, ka thënë profesori Jonathan Ball, virolog në Universitetin e Nottinghamit.

Sa shumë është shpërndarë?

Mendohet se lloji i ri ose ka filluar nga ndonjë pacient në Mbretërinë e Bashkuar, ose është importuar nga një vend me aftësi më të ulët për t’i monitoruar mutacionet e koronavirusit.

Soji i ri mund të gjendet përreth Mbretërisë së Bashkuar, sidomos në Irlandën Veriore, por më së shumti është i përqendruar në Londër, në jugperëndim dhe në perëndim të Anglisë. Kurse rastet në vendet e tjera në botë duket se ende nuk kanë filluar. Të dhënat nga Nextstrain, të cilat kanë qenë duke i monitoruar kodet gjenetike të mostrave virale në botë, sugjerojnë që rastet në Danimarkë dhe në Australi kanë buruar nga Mbretëria e Bashkuar. Edhe në Holandë janë raportuar raste. Një lloj i ngjashëm që ka filluar në Afrikën Jugore ka mutacionet e njëjta, por siç duket nuk është i lidhur me këtë.

A ka pasur shfaqje të mëhershme?

Po, virusi që së pari ishte vërejtur në Wuhan të Kinës nuk është i njëjti me atë që gjendet në të gjithë cepat e botës.

Mutacioni D614G kishte nisur në Evropë gjatë muajit shkurt dhe ishte shndërruar në formë dominuese të virusit globalisht. Një tjetër, i quajtur A222V, është shpërndarë përreth Evropës dhe ishte lidhur me pushimet e njerëzve gjatë verës në Spanjë.

Një analizë fillestare e llojit të ri është publikuar tashmë dhe i identifikon rreth 17 alternime të mundshme të rëndësishme. Ka pasur ndryshime te proteina majë – ky është çelësi që e përdor virusi për t’i hapur dyert e qelizave të trupit tonë. Një mutacion i quajtur N501Y ndryshon pjesën më të rëndësishme të majës, e njohur si “fusha e lidhjes së receptorëve”.

Këtu është vendi ku maja ka kontakt për herë të parë me sipërfaqen e qelizave të trupit. Çfarëdo ndryshimi që ia bën virusit më të lehtë futjen brenda, ka gjasa që t’ia japë një shtyrje.

“Duket sikur një përshtatje e rëndësishme”, ka thënë profesori Loman. “Mutacioni tjetër – një heqje H69/V70, në të cilën hiqet një pjesë e vogël e majës – ka nisur disa herë më parë, përfshirë edhe të famshmin në vizonin e infektuar”, ka shtuar ai.

Puna e profesorit Ravi Gupta në Universitetin e Cambridges ka sugjeruar se ky mutacion e dyfishon shkallën e përhapjes në eksperimentet laboratorike.

Studimet nga grupi i njëjtë sugjerojnë se heqja krijon antitrupa nga gjaku i të mbijetuarve që janë më pak efektivë për ta sulmuar virusin. “Po përhapet me shpejtësi, për këtë arsye Qeveria është e shqetësuar, ne jemi të shqetësuar, pjesa më e madhe e shkencëtarëve janë të shqetësuar”, ka shtuar Gupta.

Nga ka ardhur?

Lloji i ri ka pësuar mutacion në mënyrë tejet të pazakonshme. Shpjegimi më i drejtë është se lloji ka nisur nga një pacient me sistem të dobët imunitar, i cili nuk ka mundur ta mposhtë virusin dhe trupi i tij është shndërruar në hapësirë, ku virusi mund të evoluojë.

Image

Nuk ka dëshmi se ky variant do të jetë më vdekjeprurës, ani pse duhet të monitorohet. Megjithëkëtë, vetëm bartshmëria e përshpejtuar do të mjaftonte që të shkaktonte probleme në spitale. Nëse lloji i ri nënkupton se njerëzit do të infektohen më shpejt, atëherë kjo do të ndikojë që më shumë njerëz të kërkojnë trajtim spitalor.

Vaksinat e zhvilluara deri më tani, megjithëkëtë, pothuajse sigurt do të funksionojnë ndaj koronavirusit, apo të paktën kështu besohet tani për tani.

Që të tri vaksinat e zhvilluara mundësojnë një reagim imunitar kundër majës ekzistuese, që është arsyeja pse del kjo pyetje.

Vaksinat e trajnojnë sistemin imunitar që të sulmojnë disa pjesë të ndryshme të virusit, kështu që edhe pse një pjesë e majës ka pësuar mutacion, vaksina prapëseprapë duhet të funksionojë.

“Por nëse lejojmë që të shtohen edhe më shumë mutacione, atëherë ka vend për shqetësime”, ka thënë Gupta. “Ky virus është potencialisht në shtegun e ‘arratisjes’ së vaksinës dhe i ka bërë hapat e parë drejt tij”.

“Arratisja” e vaksinës ndodh kur virusi ndryshon, duke e ulur ndikimin e plotë të vaksinës dhe duke e mundësuar vazhdimin e infektimit të njerëzve. Ky mund të jetë elementi më shqetësues në gjithë këtë situatë me variantin e ri të koronavirusit. Ky lloj është thjesht i fundit që tregon se virusi është duke vazhduar që të përshtatet përderisa infekton përherë e më shumë njerëz.

Në një prezantim të së premtes, profesori David Robertson, nga Universiteti i Glasgowit, ka nxjerrë përfundimin: “Virusi mbase do të jetë në gjendje të gjenerojë mutacione që i bishtnojnë vaksinës”.

Kjo do të mund të na vërë në një pozitë të ngjashme me gripin, ku vaksinat duhet të përditësohen rregullisht. Fatmirësisht vaksinat që kemi lehtazi mund të përmirësohen.