Çështja Thaçi dhe të tjerët: Prokuroria e Speciales do ta dorëzojë dosjen deri më 17 dhjetor

Deri më 17 dhjetor të këtij viti është koha kur Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet të dorëzojë dosjen paraprake në rastin e ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit  dhe Jakup Krasniqit.

Nga Dhomat e Specializuara thuhet se gjykatësi i procedurës paraprake në këtë çështje, Nikola Giju, me vendim gojor urdhëroi Zyrën e Prokurorit të Specializuar dorëzimin e kësaj dosje.

“Gjatë konferencës për ecurinë e çështjes në çështjen Thaçi dhe të tjerët, më 29 tetor, gjykatësi i procedurës paraprake në këtë çështje, Nikola Giju, me vendim gojor urdhëroi Zyrën e Prokurorit të Specializuar që deri më 17 dhjetor 2021 të dorëzojë dosjen e saj paraprake”, thuhet nga Dhomat e Specializuara.

Kujtojmë se aktakuza ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020.