Kryetari i LDK-së Isa Mustafa kishte thënë, në Rubikon të Klan Kosovës, se të gjitha partitë politike – ato të koalicionit qeverisës dhe ato opozitare – duhet të ulen së bashku dhe të diskutojnë për çështjen e postit të presidentit.
Kryetari në detyrë i PDK-së Enver Hoxhaj tha, po në Rubikon, se partia që ai drejton do të shkojë në një takim të tillë, nëse ftohet.
“Nëse ka një ftesë prej kryetarit të LDK-së Isa Mustafa, ne natyrisht që marrim pjesë në takim të tillë, por nuk ka pasë ftesë deri më tani. Ne do të kishim dëshirë që edhe Lëvizja Vetëvendosje të jetë e pranishme, pasi janë subjekti më i madh politik në Kosovë. Nuk i themi jo takimeve të tilla. I kemi shkuar edhe Albin Kurtit sa ka qenë kryeministër në takim kur të gjithë e bllokuan dhe natyrisht që shkojmë edhe në takimin që mund të ftohet nga Isa Mustafa për të arritur një ujdi për presidentin”.
“Presim që partnerët e koalicionit ta dizajnojnë takimin. Ata duhet të merren vesh mes vete, të harmonizohen dhe të kenë qëndrime të përbashkëta kur të ulen me ne, sepse në një takim të tillë ne si PDK jemi palë e barabartë me të gjithë partnerët e koalicionit”.
Por, PDK-ja nuk e ka gatishmërinë e njëjtë për takim me kryeministrin Avdullah Hoti – ashtu siç e ka me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa.
“Nuk besoj që PDK-ja mund t’i shkojë në takim Avdullah Hotit. Zgjedhja e presidentit është temë e partive politike në Kuvend. Duhet të takohen liderët e partive politike, duhet ta përcaktojnë formulën e përfaqësimit, duhet të na ofrohen parimet se si mendohet të zhvillohet një takim i tillë dhe mbi të gjitha duhet të kemi një komunikm se cilat janë pritjet”.
“Nuk mendoj se është temë e Qeverisë, është temë e Kuvendit të Kosovës. Edhe pjesëmarrjen tonë e kuptojmë në një rrafsh krejt tjetër. Mendojmë që për disa tema që janë të konsensusit nacional, PDK-ja do të jetë parti e cila do të ketë rol aktiv. Zgjedhja e presidentit është temë e tillë, ashtu si edhe Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe ballafaqimi me pandeminë, Gjykata Speciale, si dhe dialogu me Serbinë. Qasja jonë në raport me procesin e zgjedhjes së presidentit bazohet në atë parimin që ne nuk jemi opozitë ndaj shtetit dhe duhet ta zgjedhim kreun e shtetit. Jemi opozitë ndaj pushtetit të cilin e përfaqëson Avdullah Hoti, por me partitë politike parlamentare në Kuvend mund të merremi vesh si t’i qasemi kësaj teme”.