Departamenti i Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ka publikuar hulumtimin “Identifikimi i indikatorëve shumëdimensional të ndërlidhur me dhunën në institucionet arsimore parauniversitare në Kosovë”, të realizuar përgjatë viteve 2015-2017.
Pjesëmarrës në hulumtim ishin gjithsej 12167 nxënës të shkollave të mesme të ulëta publike, të klasave 6-9, në 100 shkolla publike të Kosovës nga 14 komunat e Prishtinës, Ferizajt, Gjilanit, Fushë Kosovës, Dragashit, Junikut, Vushtrrisë, Pejës, Han i Elezit, Suharekës, Podujevës, Lipjanit, Vitisë dhe Kamenicës. Në mostër totale janë përfshirë 20% të nxënësve nga numri total i nxënësve në komunat përkatëse që e bënë studimin ekzistues një nga më të mëdhenjtë të realizuar në vendin tonë.
Në hulumtim thuhet se çdo 1 në 10 nxënës raporton t’i jetë ekspozuar dhunës seksuale nga bashkëmoshatarët, për shembull: t’i jetë ekspozuar fotove me përmbajtje seksuale, të jenë shikuar gjatë ndërrimit të rrobave ose të kenë përjetuar puthje apo prekje seksuale me forcë. Gjithashtu, së paku 1 në 10 nxënës raporton se është ngacmuar apo kërcënuar përmes internetit dhe/ose telefonit apo janë shpërndarë thashetheme për të përmes internetit/email/facebook/media tjera sociale.
Sipas gjetjeve të këtij studimit, konstatohet se në Kosovë, dhuna në shkolla adresohet në bazën ligjore ekzistuese në vend, dhe se ka pasur përpjekje të institucioneve të vendit, që këtë dukuri ta adresojnë përmes strategjive nacionale, kodeve etike, dhe programeve parandaluese të realizuara nga institucione publike, organizata ndërkombëtare dhe vendore.
Sipas hulumtimit, në përgjithësi, shumica dërmuese e nxënësve mendojnë se mësimdhënësit i mbrojnë nxënësit (86.9%) dhe i ndihmojnë nxënësit (86.4%). Po ashtu, shumica e nxënësve ndihen të sigurt dhe të mbrojtur (81.6%) dhe mendojnë se shkolla është e sigurt dhe të mbrojtur (80.8%).
Hulumtimit tregon se sa u përket formave më të shpeshta të dhunës fizike të raportuar të jenë përjetuar nga nxënësit janë si vijon: kapje/shtyrje e qëllimshme (44.9%), rrahje me grushte (23%), marrje e gjërave me forcë (18.7%), rrahje me grushte që t’i lëndojnë (17.6%), janë goditur me mjete të forta dhe lënduar (14.1%), janë kacafytur dhe lënduar (13%), kanë përfunduar në spital (4.1%) dhe kanë pësuar rrahje të rëndë (2.5%).
“Format më të shpeshta të dhunës psikologjike të raportuar të jenë përjetuar nga nxënësit në klasat 6 deri në 9 janë si vijon: kanë të qenit objekt i sharjes (60.3%), tallje/poshtërim (40.4%), përjashtim nga një grup i nxënësve (24.2%), frikësim përmes shikimeve (22.6%), vjedhje e gjërave personale (21.5%), shkatërrim i gjërave personale (17.1%), kërcënim për lëndim (16.7%), kërcënim gjatë rrugës për shtëpi në shkollë (14.3%), kërcënim për zbulim të sekreteve (8.8%) dhe kërcënim prej bandave (7.6%)”, thuhet në hulumtim.
Format më të shpeshta të dhunës seksuale të përjetuara nga bashkëmoshatarët dhe të jenë përjetuar janë si vijon: ekspozim ndaj fotove me përmbajtje seksuale (12.8%), jeni shikuar fshehurazi gjatë ndërrimit të rrobave (10.3%), puthje me forcë (9.2%), prekje seksuale me forcë (9.1%), afrim/komente seksuale (8.5%), heqje e rrobave me forcë (7.2%) dhe thashetheme seksuale për nxënësin (5.8%).
“Rezultatet tregojnë prezencë të përjetimit të ngacmimeve përmes internetit si ngacmim/kërcënim përmes internetit/ telefonit (13.8%), thashetheme për ju përmes internetit/email/ facebook/media tjera sociale (10.8%), kërcënim/turpërim përmes shpërndarjes së fotove (5.9%). Nxënësit kanë raportuar se kanë parë nxënës të tjerë me thikë në shkollë (32.5%), me armë zjarri (8.4%). Nxënësit kanë raportuar se janë kërcënuar me thikë (6.1%), kërcënuar me armë zjarri (2.1%) dhe se kanë përjetuar therje të qëllimshme (1.9%)”, thuhet tutje në hulumtim.
Sipas hulumtimit, nxënësit që raportojnë nivele të ulëta të komunikimit në familje dhe nivele më të ulëta të kënaqshmërisë me raportet familjare raportojnë nivele më të larta të viktimizimit dhe nivele më ta larta të përdorimit të dhunës ndaj bashkëmoshatarëve.
“Nxënësit që raportojnë viktimizim fizik, psikologjik, kibernetik dhe seksual, raportojnë distres më të lartë psikologjik. Nxënësit që raportojnë viktimizim nga mësimdhënësit raportojnë distres më të lartë psikologjik”, thuhet tutje në hulumtim.