Çarja e parë në Vetëvendosje finalizohet me parti të re politike

Një subjekt i ri pritet t’i shtohet skenës politike në prag të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Struktura e subjektit të ri do të krijohet nga çarja e parë në Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurtit, me një grup të deputetëve të saj aktualë që pritet të jenë baza e partisë së re politike, ka mësuar Paparaci nga një burim i afërt me strukturën e subjektit që pritet të themelohet.

Grupi i deputetëve që identifikohen si të lidhur me fenë islame si dhe figura të tjera politike, aktive në të kaluarën, pritet të themelojnë partinë e re politike.

Ky grup udhëhiqet nga deputetët Eman Rrahmani e Visar Korenica, dy deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërkaq, subjektit të ri pritet t’i bashkohen edhe ish-kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Refki Sumi dhe ish-kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani.

Ata tashmë kanë punuar dhe e kanë zgjedhur emrin e partisë, ka thënë i njëjti burim për Paparacin.

Iniciativa për themelimin e subjektit të ri politik ndërlidhet edhe me dorëheqjen e asamblistit më të votuar të Lëvizjes Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Rahovec, Ilir Pallqës.

Pallqa, në një letër publike të martën, njoftoi dorëheqjen e tij nga Lëvizja Vetëvendosje dhe e akuzoi kryetarin e partisë, Albin Kurtin, për linçim të besimtarëve të fesë myslimane në strukturat e partisë.

“Këto lëvizje, duke linquar besimtarët dhe duke mos qëndruar prapa fjalëve të thëna dikur, i kanë dhënë një mesazh një pjese të elektoratit dhe të shoqërisë, mesazh të cilin grupi i Deçanit e ka marrë përzemërsisht. Ky grup ka përkrahjen publike edhe nga disa “përfaqësues” të VV-së në media, dhe jo vetëm”, shkroi Pallqa në letrën publike të dorëheqjes.

Dalja e parë publike e subjektit të ri politik pritet të bëhet në shtator të këtij viti, ka thënë i njëjti burim për Paparacin.

Informatat nuk i ka pohuar, e as mohuar, Eman Rrahmani.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje tha sot në një bisedë telefonike me Paparacin se aktualisht është në fazën e analizës, para se të vendosë rreth angazhimit të tij politik.

“Ende nuk kam vendosur, njëherë për njëherë jam duke bërë analizë vetvetes rreth angazhimit tim politik dhe besoj që në shtator të do të vendos rreth kësaj çështje”, tha Rrahmani për Paparacin.

Duke e komentuar dorëheqjen e asamblistit Pallqa, Rrahmani tha se e mbështet këdo që del në mbrojtje të vlerave të familjes.

“Dorëheqja e z. Pallqa nuk ndërlidhet me çfarëdo angazhimi politik, por unë e mbështes këdo që shprehet në mbrojtje të familjes”, tha deputeti Rrahmani.

Rrahmani u deklarua edhe për mundësinë e bashkëpunimit politik me Refki Sumën dhe Ferid Aganin. Tha se të dy janë të mirëseardhur në bashkëpunim me të.

“Refki Suma, Ferid Agani janë figura të shquara, të cilët kanë kontribuuar në mbrojtje të familjes. Me ata kam bashkëpunuar edhe në të kaluarën, edhe gjatë kohës sa kam shërbyer si deputet dhe ata janë të mirëseardhur të bashkëpunojnë në çfarëdo angazhimi në të ardhmen”, tha Rrahmani.

Ka më shumë se dy vite që Eman Rrahmani, Visar Korenica dhe një pjesë tjetër e deputetëve të LVV-së, të cilët përbëjnë një grup prej gati dhjetë deputetësh, kanë krijuar një ndasi në Grupin Parlamentar të LVV-së.

Ata e kanë kundërshtuar në vazhdimësi Projekt-Kodin Civil, i cili parasheh lejimin e martesave mes personave të gjinisë së njëjtë dhe që është sponsorizuar nga Qeveria e Kurtit.

Polemikat mes Rrahmanit e grupit të tij të deputetëve dhe partisë nuk kanë ndaluar vetëm te Projekt-Kodi Civil. Ata, në disa raste kanë kundërshtuar edhe propozime të tjera qeveritare në Kuvendin e Kosovës, siç ishte ai për shkarkimin e Kimete Gashit, ish-anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit. /Paparaci.com/