Cana: Po e përballoj situatën e koronavirusit me dashuri familjare

Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana ndodhet tash e 10 ditë në vetizolim me familjen e tij në Romë, pas përhapjes së shpejt të koronavirusit Covid-19 në Itali. Idhulli i tifozerisë kuqezi ka qenë në një lidhje direkte nga shtëpia e tij në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK 1, ku ka dhënë detaje për jetën në izolim.

“Për me qenë shumë i sinqertë jam duke e përballuar në mënyrën më të mirë këtë situatë, pasi jam me bashkëshorten djalin dhe vajzën e vogël që i ka bërë pardje dy muaj. Pra, jam i rrethuar me dashuri dhe kjo gjendje po kalohet pa shumë strese vetëm me dashuri”, ka thënë Cana, i cili jeton në Romë.

Ai ka shpjeguar se ka hyrë në ditën e 10-të të izolimit në shtëpi, por gjithçka është nën kontroll dhe nuk ka asnjë problem me furnizime me ushqim.

“Tash e 10 ditë ka hyrë në fuqi detyrimi për të qëndruar në shtëpi dhe dalim vetëm për nevoja elementare – për ushqim ose për ndonjë ilaç. Kjo gjendje nuk pritet që të përfundojë edhe dy javë. Në dy – tre ditët e ardhshme pritet të arrihet kulmi i të prekurve, por vetëm pas një jave apo 10 dite të fillojë rënia e numrit. Por me rëndësi është që njerëzit e kanë kuptuar se vetëm diçka e përbashkët e organizuar në mënyrë kolektive mund të japë efekte. Ne në Romë jemi përballur me këtë situatë që 10 ditë, por veriu i Italisë ka qenë shumë më problematik dhe ajo gjendje ka shërbyer që njerëzit ta kuptojnë seriozitetin e këtij virusi, sepse situata atje ka qenë dhe vazhdon të jetë në një emergjencë totale”, ka theksuar tutje Cana.

Ndërkohë sipas tij në Romë ka qenë situata më qetë edhe pse rastet e të prekurve po shtohen, por që virusi të mos përhapet në masë të madhe njerëzit po mundohen që të qëndrojnë sa më shumë në shtëpi.

Loriku ka rrëfyer edhe për mënyrën se si italianët me këngë nga ballkonet e ndërtesave po mundohen që ta kalojnë sa më lehtë vetizolimin në shtëpitë e tyre, derisa ka uruar që Kosova ta kalojë sa më shpejtë këtë gjendje.