Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka thënë se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar të gjitha ankesat e parashtruara nga subjektet politike që kundërshtonin rezultatet zgjedhore apo kërkonin ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në në postim në Facebook, Cakolli ka thënë se sipas vendimeve, ankesat nuk ishin të mbështetura në prova të mjaftueshme dhe nuk përmbushnin kriteret ligjore për të justifikuar rinumërim apo anulim votash.
“Është tejet e rëndësishme që pretendimet për parregullsi duhet të mbështeten në prova bindëse dhe jo vetëm në hamendësime, supozime, trende apo përqindje të larta votash për ndonjë kandidat”, ka thënë Cakolli.
Cakolli ka bërë të ditur se rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit mund të certifikohen më së largu nga mesi i javës së ardhshme.
Ai ka pohuar se partitë politike që kanë paraqitur ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për zgjedhjet nacionale të fundit, e që nuk u janë miratuar, mund të ushtrojnë të drejtën e tyre në Gjykatën Supreme.
“Tashmë, sipas procedurave ligjore, subjektet politike kanë 48 orë nga pranimi i vendimit të PZAP për të ushtruar të drejtën e tyre për apelim në Gjykatën Supreme. Kjo e fundit ka 96 orë për të shqyrtuar dhe vendosur mbi këto ankesa”.
“Duke ndjekur dinamikën e deritanishme, nëse paraqiten ankesa në Supreme – me supozimin se as ajo nuk do të dalë përtej argumentimit të PZAP-së – rezultatet do të mund të certifikohen më së largu në mes të javës së ardhshme”, ka thënë Cakolli.