Cakaj: Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe BE duhet t’i liberalizojë vizat

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj gjatë video konferencës së zhvilluar me ministrat e jashtëm të vendeve baltike, diskutoi edhe për zhvillimet e fundit politike në Ballkanin Perëndimor dhe i vuri theks të veçantë dialogut Kosovë-Serbi.

Në një reagim në facebook, Kreu i Diplomacisë së Shqipërisë, Cakaj u shpreh se në takimin e zhvilluar, u nënvizuan dy gjëra me rëndësi.

Së pari, sipas Cakaj, Serbia duhet ta njohë Republikën e Kosovës duke i njohur integritetin ekzistues territorial dhe rendin kushtetues.

“Ky është përfundimi i vetëm që garanton një marrëveshje të qëndrueshme në shërbim të stabilitetit dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Cakaj.

Gjithashtu, ai shprehu bindjen se Bashkimi Evropian duhet t’i liberalizojë vizat me Republikën e Kosovës sa me parë, në mënyrë që të ruajë besueshmërinë e nevojshme para qytetarëve të Kosovës.

“Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet dhe ka kultivuar me çdo kusht frymën evropiane në rajon. Ndaj, është tepër e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza një orë e më parë”, vijoi Kryediplomati.

Më tej, Cakaj siguroi se Shqipëria do të vazhdojë mbështetjen e saj të pakursyer për Republikën e Kosovës në çdo rrethanë.