Cabanas, ylli paraguaian karriera e të cilit u shkatërrua pas një incidenti në një klub nate

Mjaftoi vetëm pak sekonda që bota e Salvador Cabanasit të përmbysej.

Futbollistët e dinë se sa hap e mbyll sytë karriera mund të ndryshojë: një lëndim i ligamenteve të gjurit, një lëndim i kyçit apo edhe mungesa e disiplinës mund të shkatërrojë karrierën premtuese.

Në rastin e yllit paraguaian Cabanas, nuk ishte një ndërhyrje e ashpër apo goditje me bërryl në fushë që ia shkatërroi karrierën. Një plumb i shtënë në tualet të një klubi nate në Mexico City jo vetëm që ndali karrierën e sulmuesit, por edhe ishte pranë t’ia merrte jetën.

Cabanasi i mbijetoi mrekullisht sulmit, por beteja e vërtetë ishte para tij, shkruan “Goal.com”.

Duke u futur në vitin 2010, Cabanas dukej se e kishte botën e futbollit në këmbët e tij. Një sulmues që relativisht kishte shpërthyer vonë, në një rajon ku talentet zbulohen herët dhe transferohen në vende më të pasura, Cabanas nisi të luante futboll profesionist në qytetin e lindjes Itaugua, në periferi të kryeqendrës së Paraguait, Asuncion, te klubi 12 de Octubre. Një periudhë e pasuksesshme te Guarani përfundoi pas vetëm një stinori. Mirëpo, vetëm pasi u transferua në Kili dhe më pas në Meksikë, Cabanas ndezi vërtet. Ai realizoi 29 gola në 53 ndeshje për Audax Italiano dhe 61 gola në 106 ndeshje për Jaguares de Chiapas.

Ftesa e parë nga përfaqësuesja e Paraguait erdhi në vitin 2003, por ai mbeti kryesisht rezervist prapa emrave si Roque Santa Cruz e Nelson Cuevas. Ai qëndroi gjithë Botërorin 2006 në Gjermani në bankinë. Por, diçka duket se ndezi tek ai pas Botërorit. Papritmas, Cabanas 25-vjeçar, mori hovin. Atë verë ai u largua nga Jaguares për t’iu bashkuar gjigantit meksikan America, ku realizoi 29 gola në stinorin e parë.

Në vitet 2007 dhe 2008, paraguaiani përfundoi si golashënuesi më i mirë në Copa Libertadores, ndërsa mori edhe çmimin prestigjioz të lojtarit të vitit në Amerikën Latine, duke iu bashkuar emrave si Pele, Zico, Diego Maradona, Mario Kempes e Socrates, që kishin fituar këtë çmim. Por, nuk ishte vetëm klubi i tij America që përfitoi, por edhe përfaqësuesja e Paraguait. Cabanas kishte shënuar vetëm një gol në 14 ndeshje para Botërorit 2006. Ndërsa shënoi tre gola në vitin vijues e më pas gjashtë për të ndihmuar Argjentinën që të përfundonte në vend të tretë në eliminatoret për Botërorin 2010 në Afrikë të Jugut, para gjigantëve si Argjentina, Uruguai e Kolumbia.

Në kohën kur ndodhi incidenti, Cabanas vetëm sa kishte refuzuar një ofertë luksoze nga Evropa, për të qëndruar te America.

“Kur ndodhi e gjithë kjo, unë kisha një paramarrëveshje për 1.7 milionë dollarë për t’iu bashkuar Manchester Unitedit apo një klubi tjetër të madh. Te America dyfishova pagën dhe më dhanë një apartament në Acapulco dhe një tjetër në Cancun, vetëm për të më mbajtur”, kishte treguar Cabanas për “ABC Color” në vitin 2014.

Në mbrëmjen e 25 janarit, me të ardhmen te klubi meksikan America të sigurt, Cabanas dhe bashkëshortja e tij dolën në një klub nate në Mexico City, ku u përfshi në një fjalosje me t’u futur në tualet. Ai u rrethua, u qëllova një herë në kokë dhe sulmuesit e lanë duke menduar se ka vdekur.

Lajmi për tentim vrasjen e Cabanasit tronditi gjithë futbollin meksikan dhe të Amerikës Jugore. Sulmuesi qëndroi në komë për dhjetë ditë, ishte mes jetës dhe vdekjes, para se të mbijetonte. Ai insiston se gjendja e tij e mirë fizike ndikoi që të mbijetonte.

“Futbolli ma shpëtoi jetën”, kishte thënë Cabanas për BBC-në.

Por, ai prapë u desh t’u nënshtrohej katër muajve të mundshëm trajtimi dhe rehabilitimi, para se të lejohej të kthehej në shtëpi në Paraguai. Plumbi që ishte paraparë ta vriste mbetet në kafkën e tij.

Sulmuesi i Cabanasit ishte i njohur në rrugët e Mexico Cityt me nofkën “JJ”, Jose Jorge Balderas Garza.

JJ ishte raportuar se punonte për vrasësin e frikshëm Edgar Valdez Villarreal, që në atë kohë kishte marrë kontrollin e Los Negros, krahut të armatosur të kartelit të njohur të drogës Betran-Leyva. Valdez, që është duke vuajtur dënim me 49 vjet burg në SHBA, kishte pranuar se kishte strehuar Balderasin në një nga shtëpitë e tij pas sulmit. JJ u burgos vitin e kaluar në Meksikë me akuza të lidhura për aktivitet të krimit të organizuar, por ai kurrë nuk ka qëndruar para gjykatës për sulmin ndaj Cabanasit.

Ndonëse Cabanas fillimisht mendonte se do të rikthehej në fushë dhe nisi edhe të stërviste në fillim të vitit 2011 me klubin Asuncion, u bë e qartë se dëmi që i shkaktoi plumbi e pamundësoi që ai të garojë sërish në nivelin më të lartë.

Në vitin vijues ai pati një mirëseardhje prej heroi te klubi i tij i parë 12 de Octubre, klub që garonte në rangun e tretë tashmë dhe ndihmoi pak në ngjitjen e klubit në rang. Tentimi i fundit i Cabanasit për të rinisur karrierën ishte në vitin 2014, me klubin Tanabi në Serie D të Brazilit. Por, kjo zgjati më pak se një muaj, pasi u bë e qartë se sulmuesi nuk mund të mbante ritmin me bashkëlojtarët.

Edhe jashtë fushe gjërat nuk ishin më të njëjta. Vendimi i Americas për t’ia shkëputur kontratën menjëherë pas incidentit nxiti betejë ligjore mes Cabanasit dhe klubit. Por, më pas autoritetet meksikane e akuzuan atë për evazion fiskal. Cabanas, që kishte akuzuar agjentët e tij se ia kanë përvetësuar 17 milionë dollarë në të hyra gjatë karrierës, u kthye te Itaugua për të siguruar jetesën në furrën e familjes.

“Këtu po mundohem të rikuperohem. Ende kam shumë besim, ndonëse humba çdo gjë”, kishte thënë Cabanas në vitin 2014 për agjencinë AFP. “Jeta e tij profesionale u ndërpre shkurt kur ai ishte në kulm të karrierës dhe më pas shfrytëzuan rastin agjentët dhe avokatët”, ka thënë babai i Cabanasit.

Ajo mbrëmje ia rrëmbeu Cabanasit mundësinë që të përfaqësojë vendin e tij në Botërorin 2010 në Afrikë të Jugut. Ia rrëmbeu shëndetin, jetesën dhe sigurinë ekonomike. Tash, në moshën 39-vjeçare, ai jeton në Paraguai. Kishte pasur një aventurë të shkurtër si trajner në Meksikë.

Cabanas insiston se ia ka falur Balderasit që ia shkatërroi ëndrrën për të shkëlqyer në Botëror dhe për të luajtur në një klub të madh.

“Falja duhet të vijë nga zemra”, ka thënë Cabanas në një intervistë së fundi për “Tigo Sports”. “Unë ia kam falur atyre që më kanë lënduar; kjo më jep paqe. Vetëm mund ta falënderoj Zotin që më dha mundësinë e dytë dhe unë vazhdoj ta shijoj jetën time”.