Buxheti për Prishtinën ka përplasur nënkryetarin e kësaj komune, Alban Zogaj me ministrin e Financave, Hekuran Murati.
Kjo pasi ky i fundit në një postim në Facebook, ka akuzuar partinë e cila po udhëheqë me kryeqytetin se nuk po punon sa duhet.
Murati ka thënë se për vitin 2024, me Qeverinë Kurti, buxheti për Komunën e Prishtinës është 123.7 milionë euro.
“Ku nga to 83.9 milionë euro janë mbështetje nga qeveria, ndërsa 38.8 milionë euro janë të hyrat që vetë Komuna e Prishtinës pritet t’i mbledhë”, ka shkruar ministri në Facebook.
Sipas tij, nëse bëhet krahasimi për këtë periudhë, të hyrat vetanake komuna ka arritur t’i rrisë për 10 milionë euro, ndërsa mbështetja nga qeveria është rritur për mbi 25 milionë euro.
“Me fjalë tjera, më shumë ka kontribuar Qeveria Kurti në rritjen e buxhetit të komunës, sesa vetë komuna. Buxhetin e kanë si kurrë më parë. Por, me punu s’mund t’i detyrojmë. Punën duhet ta bëjnë vetë”.
E ndaj tij ka reaguar nënkryetari Zogaj, duke e quajtur “ministër manipulues”.
“Granti shtesë për Kryeqytetin, të cilit po i referohesh, na TAKON me Ligj, me Ligjin e Kryeqytetit. Kurse, ju si Qeveri, nuk e keni ndarë asnjë CENT shtesë për Kryeqytetin, përveç asaj qe na takon me ligj. Dhe, për më tepër, ato fonde i ndani me censusin e vitit 2011, ku Prishtina kishte më pak se 200.000 banorë”.
“Z. Ministër, a e dini ju që Kryeqyteti sot, në bazë të shumë matjeve, ka rreth 400.000 banorë rezident? Pra, ne duhet të kemi dyfish buxhet sa kemi aktualisht!”, ka shkruar Zogaj në Facebook.
Ai tutje duke iu drejtuar ministrit ka thënë “ma trego një projekt, ku ju si Qeveri, keni marr’ vendim politik për të investu në Kryeqytet, një projekt”.
“Përkundrazi, bllokada në vazhdimësi!”, ka përfunduar Zogaj.