Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se derisa në Kosovë agjenda politike është duke e dominuar atë ekonomike, proceset në të mirë të qytetarëve dhe bizneseve kanë mbetur shumë prapa. Sipas tij, marrja me tema të tjera dhe mos liberalizimi i vizave, kanë bërë që ekonomia e Kosovës, të dëmtohet në dimensione të shumta.
Gërxhaliu thotë se ajo çka e karakterizon Kosovën është getoizimi i saj, në mungesë të liberalizimit të vizave.
“Kosova edhe më tutje vazhdon të jetë vendi më i izoluar, jo vetëm në Europë por edhe në botë dhe dëmet që janë duke i pësuar qytetarët dhe bizneset janë të shumëfishta, por një getoizim i tillë do të reflektohet edhe në të ardhmen sepse po ngulfatet perspektiva e Kosovës. Si duket Europa është në sfida dhe probleme interne dhe në këtë drejtim për penalizmin e Kosovës nuk jep llogari askush. Kosovës i kërkohet të jetë pjesë e iniciativave rajonale por lëvizjen e ka të cenuar me Serbin dhe Bonjën dhe Hercegovinën, si dhe me vendet e tjera europiane”, tha eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu.
Sipas tij, termi liberalizim është dëshirë dhe vullnet, i pa realizuar për qytetarët e Kosovës, pavarësisht se raportet e Bashkimit Europian tregojnë se Kosova i ka plotësuar kriteret teknike.
“Si mund të jetë Kosova akter i barabartë në iniciativa rajonale dhe t’i përshpejtojë integrimet europiane në qoftë se lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve e ka të kufizuar dhe pothuajse të pamundur. Situatën rreth mungesës së liberalizimit të vizave dhe rreth pajisjes me viza të qytetarëve dhe bizneseve po e ngulfat edhe më shumë burokracia e disa ambasadave të vendeve europiane, të cilat ndaj kosovarëve kanë agresivitet dhe burokraci të veçantë. Sot për t’u pajisur me vizë duhet të humbësh kohë, para, të kompletosh dokumente të panevojshme burokratike dhe nëse nuk ta refuzojnë dhe e merr një vizë, ajo do të jetë një javore dhe me një hyrje në një nga vendet e Bashkimit Europian. Kjo është nënçmimi më i madh që i bëhet bizneseve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thekson ish-kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu.
Sipas tij, është koha që institucionet vendore dhe ndërkombëtare të bëjnë më tepër në eliminimin e kësaj dukurie burokratike dhe negative me të cilën po përballen qytetarët dhe bizneset kosovare .
“Është për t’u shqetësuar heshtja e institucioneve vendore përballë kësaj dukurie negative, me të cilën po ballafaqohen në vazhdimësi qytetarët dhe bizneset. Por edhe më tepër të habit fakti i kënaqësisë së burokratëve të punësuar në ambasadat e vendeve ndërkombëtare me këto sjellje nënçmuese ndaj kosovarëve. Është utopike të mendohet zhvillimi i qëndrueshme ekonomik për Kosovën, edukim i mirëfilltë, shëndetësi në interes të qytetarëve, integrim në BE, transfer të teknologjisë dhe sistemit now-know, inovacione dhe globalizim me këtë qasje getizuese me të cilën përballet Kosova në aspekt rajonal dhe europian. Këto dukuri negativa duhet të analizohen edhe në aspekt psikologjik dhe të bësh pyetjen “Si është të jesh kosovar në familjen europiane?”, tha Gërxhaliu.