Bundesliga merr lejen që të rifillojë javën e ardhshme

Qeveria gjermane dhe shtetet federale janë pajtuar të mërkurën që futbolli  në Bundesliga dhe Bundesliga 2 të rifillojë nga mesi i majit pa shikues, njofton agjencia Reuters.

Ndeshjet janë pezulluar që nga mesi i marsit për shkak të përhapjes së koronavirusit. Kancelarja gjermane Angela Merkel e ka konfirmuar se ndeshjet e Bundesligës dhe Bundesligës 2 mund të rifillojnë nga fundjava e ardhshme.

Liga e Futbollit Gjerman (DFL) do të vendosë për datën e rifillimit. Klubet gjermane i janë kthyer stërvitjeve, ndërsa lojtarët janë duke u testuar vazhdimisht për koronavirus.

DFL të enjten do ta ketë një video-konferencë me anëtarët ku do të diskutohet për datën. Pos, që do të bisedohet për xhirot e mbetura të kampionatit, do të diskutohet edhe për zhvillimin e ndeshjeve gjysmëfinale dhe finales së Kupës së Gjermanisë. Ka gjasa që rifillimi të shtyhet deri më 22 maj.

“Vendimi i sotshëm është lajm i mirë për Bundesligën dhe Bundesligën 2. Klubet dhe të punësuarit e tyre kanë përgjegjësi të madhe për të implementuar kërkesat mjekësore dhe organizative në mënyrë të disiplinuar. Ndeshjet pa shikues nuk janë zgjidhja ideale për të gjithë. Por, në një krizë që po rrezikon ekzistencën e klubeve, është mënyra e vetme që të mbahen ligat në formën aktuale”, ka thënë shefi-ekzekutiv i DFL-së, Christian Seifert.

Pas 25 xhirove kryeson Bayern Muencheni me 55 pikë, katër më shumë se Borussia Dortmundi, që gjendet në vendin e dytë.

Bundesliga do të jetë liga e parë e madhe që do t’i rifillojë garat pas pezullimeve shkaku i koronavirusit.

“Dua të falënderoj politikanë që kanë marrë vendimin sot dhe kanë ofruar mundësinë që të përfundohet stinori në Bundesligë. Ne tash po shikojmë para që t’i rikthehemi ndeshjeve, në mënyrë ideale do të ishte nga mesi i majit. Kjo do të bëjë të mundur që vendimet sportive të merren në fushë. I bëj apel të gjithëve që janë të përfshirë të ndjekin protokollet shëndetësore, që janë baza e rifillimit të ndeshjeve, në mënyrë shembullore dhe me disiplinë ekstreme”, ka thënë kryetari i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge.