Bylbyl Sokoli nis punën te Gjilani me synimin për dalje në Evropë

Një nga trajnerët më në zë në futbollin e Kosovës, Bylbyl Sokoli, pranon se lufta për titull të kampionit do të jetë e vështirë për Gjilanin, skuadrën e tij të re.

Sokoli, me të nënshkruar marrëveshjen me Gjilanin, të dielën, e ka nisur punën me lojtarët, me synimin për ta siguruar daljen në Evropë.

Sokoli me Gjilanin ka nënshkruar marrëveshje deri në fund të këtij edicioni, ndërsa në pozitën e trajnerit e ka zëvendësuar të larguarin Gentjan Mezani. Kthimi i Sokolit në detyrën e trajnerit vjen pas një viti pauzë. Së fundi, Sokoli ishte trajner i Prishtinës, por pati dhënë shpejt dorëheqje, për, siç pati thënë, probleme shëndetësore.

Gjilani është në vendin e katërt me 26 pikë nga 17 ndeshje.

Sokoli në stolin e Gjilanit do të debutojë në ndeshjen e 1/16 së finales të Kupës së Kosovës ndaj KEK-ut, ndeshje që luhet të martën. Ndeshjen e mbetur kundër Ballkanit, Gjilani e luan në fundjavë.

“Po kthehem pas një viti në këtë detyrë. Jam i vetëdijshëm që Gjilani ka një ekip cilësor, një organizim të mirë dhe këto kanë qenë arsyet që më kanë shtyrë të arrij marrëveshje me Gjilanin dhe të kërkojmë të punojmë të gjithë për klubin. Në saje të punës dhe disiplinës do të kërkojmë rezultatin. Ky ka qenë premtimi im që i është bërë presidentit, drejtorit sportiv dhe ekzekutiv”, ka thënë Sokoli të dielën për KOHËN.

Ai në të kaluarën ka drejtuar me sukses disa skuadra në Kosovë, ndërsa ka punuar edhe te skuadrat shqiptare të Maqedonisë së Veriut.

Sokoli insiston se kryesia e klubit nuk e ka ngarkuar që me çdo kusht të arrijë daljen në Evropë. Por ai thotë se Gjilani ka potencial për ta arritur këtë qëllim.

“Kryesia nuk më ka ngarkuar rreth kërkesës për daljen me çdo kusht në Evropë. Ne do të bëjmë përpjekje maksimale dhe në saje të punës të arrijmë rezultate. Unë do të punoj që të kërkoj daljen në Evropë, pasi ky ekip ka potencial dhe mundësi, prandaj ky është edhe motivi im pse jam në këtë klub”, ka shtuar Sokoli.

Sokoli thotë se Gjilani do t’i ketë dy përballje të vështira këtë vit, atë për Kupë ndaj KEK-ut dhe ndeshjen e mbetur kundër Ballkanit.

“Unë kam filluar punën. Së pari duhet përfunduar dy ndeshjet e rëndësishme për Gjilanin, fillimisht kundër KEK-ut në Kupë dhe ndeshjen e mbetur kundër Ballkanit. Pasi të përfundojmë këto dy ndeshje do ta hartojmë planin për fillimin e përgatitjeve për pjesën e mbetur të stinorit. Është vështirë, por mendoj se ka edhe ndeshje për t’u luajtur, megjithatë shihet qartë shkëputja e klubeve në pjesën e sipërme. Ne do të shkojmë ndeshje për ndeshje, të shohim, të kërkojmë rezultate dhe nëse na jepet rasti të luftojmë për tri pozitat e para, me siguri se këtë rast do të dimë ta shfrytëzojmë”, ka thënë Sokoli.

Sokoli nuk ka folur nëse do të mbetet më gjatë se deri në fund të këtij edicioni. Kjo thotë se do të varet sipas zhvillimeve që do të ndodhin në këtë edicion.

Në gara evropiane dalin kampioni, nënkampioni dhe fituesi i Kupës.

“Marrëveshja ime është deri në fund të këtij edicioni dhe pastaj do të ulemi të bisedojmë cilat janë ambiciet tona. Këtë projekt e ka filluar trajneri i mëhershëm dhe unë do ta vazhdoj. Gjilani ka futbollistë cilësorë dhe bashkë me punën që do të bëjmë jam optimist që rezultatet nuk do të mungojnë”, ka thënë Sokoli.