Bujqësia prioritet i Qeverisë, verërat e Kosovës me çmime ndërkombëtare për cilësi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti,  vizitoi sot Rahovecit dhe Gjakovën, ku me prodhuesit e verës dhe blegtorët, bisedoi për pakot e Qeverisë për mbështetje ndërmarrësve vendor, në kohën kur Kosova sikurse i gjithë globi, po përballet me pasojat e pandemisë Covid-19.

Në përurimin e objektit të mikrovinifikimit, Kryeministri Hoti tha se me këtë laborator modern përmbyllet gjithë cikli i mbështetjes që Qeveria i jep bujqësisë dhe vreshtarisë. 


“Është me shumë interes, është mundësi për nxënësit dhe studentët që të kryejnë praktikën e nevojshme. Na duhen ekspertë të kësaj fushe dhe unë jam i bindur që me qasjen e Qeverisë dhe mbështetjen që kemi marrë nga ekspertë ndërkombëtarë, si dhe me njerëzit e këtij regjioni që janë shumë punëtorë dhe të përkushtuar për këtë veprimtari, për disa vite ne do të vendosemi në hartën evropiane sa i përket vreshtave dhe prodhimit të verës”, u shpreh Kryeministri Hoti.

Kryeministri Hoti, tek “Bodrumi i Vjetër”, shprehu kënaqësinë e tij me zhvillimin e këtij bodrumi, verërat e të cilit kanë fituar çmime ndërkombëtare për cilësi.

“Sa herë që vij këtu impresionohem me punën e jashtëzakonshme dhe cilësore, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare të prodhimit të verës”, tha ai. 


Vizitën në Rahovec, Kryeministri Hoti, e përmbylli në kompaninë e verarisë “Biopak”, ku edhe përcolli porosinë se bujqësia, përfshirë këtu vreshtarinë dhe prodhimin e verës, janë prioritet i Qeverisë.

Ndërsa në orët e pasdites Kryeministri Hoti morri pjesë në inaugurimin e një ferme, në fshatin Bërkoc, të Komunës së Gjakovës.


 “Më vjen mirë që po kompletohet ngadalë rrjeti i fermerëve, që i plotëson standardet më të mira për këtë veprimtari”, u shpreh ai.


Gjatë vizitës në Rahovec dhe Gjakovë, Kryeministri Hoti ishte i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa.