BSPK proteston më 8 prill, i paraqet gjashtë kërkesa Qeverisë

Nën kryesimin e Kryetarit të BSPK-së, Atdhe Hykolli u mbajt Takimi Konsultativ i Federatave Sindikale anëtare të Bashkimit Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Përfaqësuesit më të lartë të Federatave Sindikale njëzëri u pajtuan që më 8 prillit 2022 të mbahet protesta e Federatave dhe Shoqatave Sindikale.

Në Takim u caktua këshilli organizativ i cili do të përkujdeset për zhvillimin e qetë të Protestës e cila do të nisë me marshin prej Bibliotekës Kombëtare e deri te Sheshi “Skënderbe” ku para ndërtesës së Qeverisë.

BSPK njofton se ekzekutivit do t’i parashtrohen publikisht kërkesat e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës:

1.100€ nga buxheti i shtetit për të gjithë të punësuarit në sektorin publik përfshirë edhe punëtorët e Ndërmarrjeve Publike – deri në përmbushjen e kërkesave të mëposhtme

2.Përcaktimi i Pagës Minimale

3.Miratimi i Ligjit për Paga

4.Nisja e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore

5.Nënshkrimi i marrëveshjes kolektive gjithëpërfshirëse

6.Amendamentimi-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuar nga Shteti, pranimi i përvojës se punës për të gjithë të larguarit nga puna gjatë viteve të 90-ta, dhe të eliminohet kriteri prej 15 vite përvojë punë para vitit 1999.