Pas tre orëve diskutim, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka njoftuar se shumë shpejt pritet të arrihet marrëveshja me qeverinë.
Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, pas takimit me Këshillin Ekonomik Social, ka thënë para mediave se pritet që sonte ose nesër të ketë takime me qeverinë.
“Sa më shpejt që është e mundur, sonte ose nesër”, ka deklaruar Hykolli.
Ai po ashtu ka theksuar se shumë shpejt pritet të ketë lajme pozitive.
“Ne diskutuam për kërkesat tona, përpjekjet janë të dyanshme. Po shpresoj se shumë shpejt ne do të dalim me lajme pozitive dhe do të vazhdojmë punën. Po normalisht atmosfera ka qenë herë relaksuese e herë tensionuese. Por kur ne dëshirojmë të ecim përpara, atëherë edhe këto janë shumë normale”, ka shtuar Hykolli.
Kryetari i BSPK-së tha se ka sinjale pozitive për arritjen e marrëveshjes me qeverinë.
“Kemi sinjale nga të dy anët që do të ecim përpara. Ishin përfaqësuesit e qeverisë, ishin ministrat Murati dhe Nagavci. Dialogu i ka edhe rrugët e veta, por momentalisht jemi në këtë situatë që shumë shpejt mund të ulemi dhe t’i ofrojmë qëndrimet tona”, ka përfunduar Hykolli.
Nga data 25 gusht, shkollat dhe çerdhet janë në grevë në gjithë Kosovën. Sindikatat po kërkojnë nga 100 euro deri në miratimin e Ligjit të Pagave.